Vladimir alias Valmir Kola i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Briken Sanajt të Kodra e Diellit është ekstraduar sot nga Gjermania nga Interpol Tirana.

I dyshuar si i përfshirë në vrasjen e bujshme më 20 tetor 2020 së bashku me tre persona të tjerë, Vladimir Kola u arrestua në prill të vitit të kaluar në Gjermani gjatë operacionit “Versus”, pas bashkëpunimit mes policisë shqiptare dhe asaj gjermane.

Një muaj pas vrasjes, Gjykata e Tiranës i ka caktuar 44-vjeçarit masën arrest me burg  për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Vetëm 10 ditë më parë, Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim Vladimir Kolën, së bashku me 4 të pandehur të tjerë dhe doli në përfundimin se Kola për të kryer atentatin ka udhëtuar nga Barcelona në drejtim të Aeroportit të Podgoricës dhe ka hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme pa u regjistruar në pikën e kontrollit.

Pas kësaj ai ka blerë një automjet duke përdorur targat e një mjeti tjetër, i cili pas vrasjes së shtetasit Briken Sanajt është gjetur i djegur në fshatin Domje.

Brenda tij është gjetur arma e krimit kallashnikov, ndërsa autori ka kaluar sërish në Mal të Zi në mënyrë të paligjshme.

Atentati të Kodra e Diellit ndodhi në orët e vona të natës së 30 tetorit, kur viktima sapo ishte kthyer nga një dasmë në Lezhë. Edhe pse zona ishte me siguri të shtuar dhe kamera, së paku dy persona me një mjet ‘Benz’ me targa të vjedhura qëlluan për vdekje në derën e një garazhi 39-vjeçarin Briken Sanaj.

Para se të ndodhte atentati, Sanaj ka qenë duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me tre persona të njohur në trotuar. Në momentin që ai ka zbritur nga makina, u qëllua për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje.

Ngjarja dyshohet se ndodhi për hakmarrje, pasi në vitin 2010 familja Sanaj ka pasur konflikt me familjen Kola për shkak të ngacmimit të një vajze. Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola.Mes familjeve nisi një hasmëri që pavarësisht përpjekjeve për pajtim nuk u realizua.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA