Asnjëherë më parë në historinë e të Gjelbërve, një parti tradicionalisht programatike dhe pa kult individi, nuk ka qenë një person kaq shumë në qendër të një fushate zgjedhore.

Për zgjedhjet e parakohshme të Bundestagut më 23 shkurt 2025, Robert Habeck kandidon për kancelar, i zgjedhur në kongresin e partisë në nëntor në Wiesbaden me 96% të votave.

Tre vite jashtëzakonisht të lodhshme

Habeck ka lënë pas tre vite të lodhshme si pjesë e një qeverie federale që në fund u shpërbë për shkak të mosmarrëveshjeve. Tani ai është i vendosur të mbetet në pushtet, edhe pse partia e tij ka vetëm 12-14% mbështetje në sondazhe. Në rrjetet sociale, përballet me valë të mëdha pakënaqësie dhe urrejtjeje. Sipas shumë gjermanëve, Habeck dhe të Gjelbërit i mbingarkuan qytetarët me planet e tyre ambicioze për mbrojtjen e klimës dhe tranzicionin energjetik në kohë të vështira.

Në një intervistë për DW në mars 2022, Habeck deklaroi: “Gjithmonë e kam ditur se do të më duhej të merrja vendime që nuk janë popullore, që janë të vështira dhe që kërkojnë sakrifica nga njerëzit. Vendime që ndoshta nuk kanë mbështetje shumicë, por që janë të domosdoshme për të ardhmen e vendit.”

Në shtator, Habeck mbushi 55 vjeç. Në politikë ka hyrë relativisht vonë: 20 vjet më parë, në të tridhjetat, u bë aktiv tek të Gjelbërit si kryetar partie në Landin Schleswig-Holstein. Më vonë, midis 2012 dhe 2018, ishte ministër i Mjedisit në këtë land verior. Para se të hynte në politikë, Habeck shkruante libra për fëmijë dhe romane krimi me bashkëshorten e tij, Andrea Paluch. Një nga romanet e tyre, “Die Flut – Tod am Deich”, u bë film televiziv në kanalin ARD në prill 2024.

Fitoret zgjedhore si kryetar partie

Nga janari 2018 deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Habeck ka qenë bashkëkryetar i të Gjelbërve së bashku me Annalena Baerbock, e cila më vonë u bë ministre e Jashtme. Gjatë kësaj periudhe, partia pati suksese të mëdha, veçanërisht në zgjedhjet europiane të majit 2019, ku mori 20.5% të votave. Në vitin 2021, pas zgjedhjeve parlamentare, të Gjelbërit hynë në koalicionin me socialdemokratët e SPD-së dhe liberalët e FDP-së. Koalicioni i qendrës së majtë njihet në Gjermani me emrin “semafor” për shkak të ngjyrave të partive.

Një fillim reformues – pastaj erdhi lufta

Koalicioni i kishte vendosur vetes si detyrë të bënte reforma të mëdha shoqërore, ndërsa Habeck, si ministër i Ekonomisë dhe Mbrojtjes së Klimës, synonte një transformim të qëndrueshëm të ekonomisë. Por shumë shpejt politika gjermane mori një kthesë dramatike: në fillim të vitit 2022, Rusia pushtoi Ukrainën, dhe Gjermania u detyrua të shkëputej me shpejtësi nga importet e lira të naftës dhe gazit rus.

Projekti i shumëdebatuar i gazsjellësit “Nord Stream 2” u anulua, dhe Habeck kërkoi furnizues të rinj të gazit, përfshirë Katarin. Në një intervistë për DW në Doha, ai e shpjegoi skepticizmin me të cilin u prit në botën arabe: “Është e qartë se Gjermania po vepron ashpër kundër Rusisë, duke mos e aktivizuar Nord Stream 2 dhe duke vendosur prioritet të lartë mbrojtjen e klimës. Por këtu në Katar, më thanë hapur: ‘Ju na braktisni kur jemi nën sulme dhe na kërkoni ndihmë vetëm kur juve ju nevojitet.”

Politikani që shpjegon krizat

Gjatë asaj periudhe, Habeck gëzonte mbështetje të madhe për shkak të komunikimit të tij të hapur. Në intervista të shumta, ai përpiqej t’u shpjegonte qytetarëve situatën e re, duke pranuar se nuk kishte zgjidhje të lehta dhe se vendi duhej të përgatitej për çmime të larta dhe pasiguri të mëdha. Ai gjithmonë theksonte arsyen e këtyre ndryshimeve.

Në shkurt 2023, ai deklaroi: “Putini e filloi këtë luftë. Pavarësia nga furnizimet ruse do të thotë se ai nuk do të ketë më të ardhura. Po, ne si shoqëri duhet të paguajmë një çmim për këtë – inflacion i lartë, çmime të larta të energjisë – dhe ka shumë frikë dhe shqetësime që vijnë me këtë.”

Kriza e Ligjit për Ngrohjen

Por reputacioni i tij u godit rëndë kur qeveria paraqiti Ligjin për Ngrohjen, një përpjekje për të kaluar nga ngrohja me gaz të lirë në pompa termike. Ligji ishte hartuar me ngut, subvencionet ishin të paqarta dhe u bë e qartë se tregu nuk kishte mjaftueshëm pompa termike për të përmbushur kërkesën. Kritikat u shtuan, dhe Habeck u pa nga shumë qytetarë si një fanatik ekologjik i shkëputur nga realiteti. Popullariteti i tij ra në rreth 20%.

Fundi i qeverisë “së qendrës së majtë”

Kriza arriti kulmin kur Gjykata Kushtetuese Federale ndaloi qeverinë të përdorte 60 miliardë euro nga fondet e papërdorura të pandemisë për politikat e klimës. Pa këto fonde, shumë projekte u ndalën, dhe konfliktet brenda koalicionit u intensifikuan.

Situata u përkeqësua me humbjet ekonomike dhe shkurtimet masive të vendeve të punës në industri, të cilat u lidhën edhe me politikat e Habeckut si ministër i Ekonomisë. Në fund, pas shkarkimit të ministrit të Financave, Christian Lindner, dhe daljes së FDP-së nga qeveria në fillim të nëntorit, Habeck dhe kancelari Olaf Scholz u gjendën në një qeveri minoritare.

Një koalicion i dështuar

Vetëm disa ditë pas shpërbërjes së koalicionit, Habeck shprehu zhgënjimin e tij, në një intervistë për DW: “Kjo është vërtet e dëmshme. Ne e nisëm si një projekt reformash: shtetësia, migracioni. E dinim që do të kishim mosmarrëveshje për politikën ekonomike. Pastaj erdhi lufta dhe gjithçka ndryshoi. Fatkeqësisht, kjo qeveri u bë shumë e papëlqyer dhe dështoi.”

E ardhmja politike e Habeckut

Çfarë do të ndodhë tani? A do të kthehet Habeck te shkrimi i librave? Nuk duket e mundshme. Ai dhe të Gjelbërit nuk përjashtojnë koalicione të reja, madje edhe me konservatorët e CDU/CSU. Për Habeckun, karriera politike nuk duket të përfundojë me fundin e zymtë të qeverisë “semafor”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA