
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar ushtrinë të përgatisë plane për të bërë shkurtime drastike buxhetore gjatë pesë viteve të ardhshme, me një përjashtim për sigurinë kufitare.
Memorandumi u bën thirrje krerëve ushtarakë të ofrojnë një propozim për 8 përqind në shkurtimet e buxhetit çdo vit për pesë vitet e ardhshme. Propozimet për shkurtimet masive të buxhetit të Pentagonit prej përafërsisht 850 miliardë dollarësh duhet të bëhen deri më 24 shkurt, më pak se një javë pasi Hegseth lëshoi memorandumin.
Ky memorandum u publikua një ditë përpara se Presidenti Donald Trump të miratonte planin buxhetor të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili përfshin një rritje prej 100 miliardë dollarësh në shpenzimet e mbrojtjes, duke sugjeruar një shkëputje të madhe brenda administratës. Vetë Hegseth bëri thirrje për një rritje të buxhetit të mbrojtjes një javë më parë. Ndërsa vizitoi Shtutgartin, Gjermani, Hegseth tha se “Unë mendoj se SHBA-ja duhet të shpenzojë më shumë sesa ishte e gatshme të bënte administrata Biden, e cila historikisht investoi më pak në aftësitë e ushtrisë sonë”.
Mw tej ai shprehet se “Kërkoj që Departamentet Ushtarake dhe Komponentët e DoD të sigurojnë aftësitë dhe gatishmërinë e nevojshme për një ritëm të kohës së luftës dhe të kompensojnë ato kërkesa me artikuj me ndikim të ulët, të tilla si programet e kota DEI dhe ndryshimet klimatike”. Memorandumi, i iu dërgua udhëheqësve të lartë të Pentagonit, komandantëve të komandave luftarake dhe agjencive të mbrojtjes.
Memorandumi vjen ndërsa Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë i Trump dhe Elon Musk po fillon një përpjekje të madhe për të tkurrur qeverinë federale, duke shkurtuar shpenzimet dhe duke pushuar nga puna një numër të konsiderueshëm punëtorësh në të gjithë vendin.
Shkurtimet vijnë gjithashtu në një kohë kur Trump po u bën thirrje aleatëve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), që do të përbënte një rritje masive të shpenzimeve për pothuajse çdo vend të NATO-s.
Top Channel