
Presidenti Donald Trump kritikoi Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të martën, disa orë pasi zyrtarë amerikanë dhe rusë u takuan në Arabinë Saudite për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë.
Përfaqësuesit nga Ukraina mungonin në bisedime. Zelensky ka thënë se Ukraina nuk do të “dorëzohet ndaj ultimatumeve të Rusisë” dhe shtoi se do të refuzonte të nënshkruante ndonjë marrëveshje të negociuar pa përfshirjen e Kievit.
Trump, duke folur në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida, tha se bisedimet ishin “shumë të mira” dhe se Rusia “dëshiron të bëjë diçka.”
Deklaratat e Trump:
Takimi me Putinin: Trump tha se “ndoshta” do të takohet me homologun e tij Vladimir Putin para fundit të shkurtit. Trump dhe Putin folën për 90 minuta në telefon javën e kaluar. Presidenti amerikan ka thënë se bisedimet me liderin rus ka gjasa të ndodhin edhe në Arabinë Saudite.
Pretendimet mbi luftën: Trump pretendoi në mënyrë se Ukraina e filloi luftën me Rusinë. “Duhej ta kishit përfunduar pas tre vjetësh. Nuk duhej ta kishit nisur kurrë. Mund të kishit bërë një marrëveshje,” tha Trump në kontekstin e komenteve mbi dëshirën e Ukrainës për të qenë e përfshirë në bisedimet në Arabinë Saudite. Ai pretendoi se mund të kishte bërë një marrëveshje për Ukrainën “që do t’u kishte dhënë atyre pothuajse të gjithë territorin… dhe askush nuk do të ishte vrarë.”
Zgjedhjet në Ukrainë: Trump u shpreh më i hapur ndaj idesë së shtyrjes për zgjedhje të reja në Ukrainë, duke përsëritur një pikë të diskursit rus. “E dini, ata duan një vend në tryezë. Mund të thuash që njerëzit duhet… A nuk duhet që populli i Ukrainës të thotë, si, ka kaluar shumë kohë që nuk kemi pasur zgjedhje?” tha ai. Zgjedhjet në Ukrainë aktualisht janë të pezulluara si pjesë e ligjit ushtarak për shkak të pushtimit rus.
Trupat paqeruajtëse europiane: Shtetet e Bashkuara “nuk do të kundërshtonin aspak” që trupat paqeruajtëse europiane të vendoseshin në Ukrainë, tha Trump. “Nëse ata duan ta bëjnë këtë, është fantastike. Unë jam krejtësisht dakord,” shtoi ai. Megjithatë, ai sugjeroi se SHBA nuk do të merrte pjesë, “sepse jemi shumë larg.”
Bisedimet në Arabinë Saudite: Më herët sot, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord mbi katër parime pas bisedimeve të gjata në Arabinë Saudite, tha Sekretari i Shtetit Marco Rubio, duke përfshirë emërimin e një ekipi të nivelit të lartë për të ndihmuar në “negociatat dhe gjetjen e një mënyre për të përfunduar konfliktin në Ukrainë” në një mënyrë “të pranueshme për të gjitha palët e përfshira.”
Reagimi i ligjvënësve: Kryetari i Komisionit të Forcave të Armatosura të Senatit, Roger Wicker, tha se nuk beson se Putin mund të besohet në negociatat mbi të ardhmen e Ukrainës. Senatori republikan e quajti presidentin rus “një kriminel lufte që duhet të jetë në burg për pjesën tjetër të jetës, nëse jo i ekzekutuar.” Ai gjithashtu tha se Putin ka “shkelur çdo parim të së drejtës ndërkombëtare.”
Top Channel