
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance paralajmëroi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky që të mos sulmojë Presidentin Donald Trump, duke thënë se ‘të folurit e keq’ ndaj tij në publik do t’i kthehet kundër.
Vance dha komentet e tij disa orë pasi presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky akuzoi Trumpin se jetonte në një “flluskë dezinformimi” të prodhuar nga Rusia.
Komentet nga të dyja palët vijnë në një kohë kritike të luftës midis Ukrainës dhe Rusisë, pasi Trump kërkon një zgjidhje të shpejtë për konfliktin.
“Ideja që Zelensky do të ndryshojë mendjen e presidentit duke e keqtrajtuar atë në mediat publike… të gjithë ata që e njohin presidentin do t’ju thonë se kjo është një mënyrë e papërshtatshme për t’u marrë me këtë administratë”, tha Vance.
Në të njëjtën kohë, Trump nuk i kurseu sulmet ndaj presidentit ukrainas në Truth Social.
“Një diktator pa zgjedhje, Zelensky më mirë të veprojë shpejt ose nuk do t’i mbetet një shtet për të qeverisur” shkroi Trump.
Kjo shënon një krizë në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Kievit.
Vance tha se Zelensky kishte marrë “këshilla të këqija” se si të sillej me administratën e re dhe për tre vitet e fundit ka menduar se nuk mund të bëjë hapa të gabuar.
Top Channel