
Përveç të atit, për ish-gjyqtaren Enkelejda Hoxha nuk pati asnjë apel kur ajo përfundoi nën arrest me burg, ndonëse ishte nëne e vetme e dy fëmijëve.
Njëri prej tyre me probleme shëndetësore. As kur një i aksidentuar i identifikuar si Arnold Shahu i dosjes Nomada nga krevati përfundoi në kafaz. Dhe as kur Deila Qema me foshnjën në krahë u prangos. Por diçka ka ndryshuar orët e fundit dhe në fokus është SPAK, që ka arrestuar disa politikanë të nivelit të lartë.
Sinkron Edi Rama: “Ne nuk mund të pranojmë që në emër të pavarësisë të kapërcehen fazat e hetimit dhe të gjykimit dhe as nuk mund të pranojmë që në emër të pavarësisë paraburgimi të bëhet faktikisht një normë për të kapur dhe kyçur brenda pa gjyq këdo qoftë”.
Prokuroria e Posaçme ka zgjedhur Facebook-un për t’ju përgjigjur indirekt akuzave të kryeministrit që është i shqetësuar për standardet dhe te drejtat e njeriut. Përmes një grafike që është pjesë e raportit vjetor të 2024 , të cilin kryeprokurori i SPAK pritet ta lexojë në parlament ka zbuluar se në raport me 13 prokuroritë e tjera, SPAK ka dërguar më pak të dyshuar në burg.
“Sipas drejtorisë së përgjithshme të burgjeve, numri total i personave në paraburgim është 2791 në vitin 2024. Nga totali prej 2791 numri I personave në paraburgim të hetuar nga SPAK është 270 persona ose 9.7%”.
Megjithëse në këto statistika bëhet e ditur se vetëm 37.5% të tyre janë hetuar nga SPAK nën masën e sigurimit arrest me burg, SPAK nuk bën të qartë se sa është numri i shtetasve për të cilët kërkoi burg, por u refuzua nga gjykata. Dhe se sa është numri i pafajësive që mori nga trupat gjyqësore gjatë të njëjtit vit, ndërsa të dyshuarit prisnin në drejtësi në paraburgim.
Raporti i të paraburgosurve:
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, numri total i personave në paraburgim është 2791 për vitin 2024.
Nga totali prej 2791, numri i personave në paraburgim të hetuar nga SPAK është 270 persona ose 9.7%
Ndërkohë që Rama deklaroi dje se “Ne nuk mund të pranojmë që në emër të pavarësisë të kapërcehen fazat e hetimit dhe të gjykimit dhe as nuk mund të pranojmë që në emër të pavarësisë paraburgimi të bëhet faktikisht një normë për të kapur dhe për të kyçur brenda pa gjyq këdo qoftë. Kur kushtet e domosdoshme që duhen plotësuar për tu paraburgosur dikush janë shumë të qarta dhe praktikisht nuk kanë të bëjnë fare me një pjesë të atyre për të cilët janë konsideruar të përmbushura. Por këto janë të gjitha çështje të një diskutimi dhe një debati demokratik”, tha Rama ditën e djeshme.
Top Channel