Inside Story/ Çudia në trevat shqiptare në Serbi! Personi që ka vdekur para 17 vitesh në Kosovë rezulton i gjallë, të porsalindurit nuk ekzistojnë

19/02/2025 21:44

Dramatike është situata në rastet kur një person humb jetën në Kosovë.

Këtë person nuk mund ta shlyejnë nga regjistrat në Serbi, nuk ka asnjë formë. Familja humb të drejtën e trashëgimisë dhe gjithçkaje tjetër. Ndodh të shkosh në gjykatë për trashëgiminë dhe gjykatësi thotë sille babanë, ai për ne është gjallë.

‘Personi që ka vdekur para 17 viteve këtu është i gjallë. Nëse vdes në Kosovë bartësi i pronësisë së familjes, dhe në këtë fushë ti do të paraqitësh në gjykatë se ka vdekur dhe të bësh trashëgiminë është e pamundur sepse në gjykatë ata do të thonë jo nuk ka vdekur për ne’, u shpreh Ragim Mustafa, Zv. Kr. Komuna Preshevë.

Nënkryetari I komunës së Preshevës, kërkon nga Shqipëria dhe Kosova të bëjnë më shumë për shqiptarët e Luginës. Ai apelon për pajisjen me dokumente shqiptare apo kosovare. Politikani që dikur ka shërbyer edhe si kryetar I komunës, kërkon hartimin e politikave afatgjata duke mos rrezikuar që Lugina e Preshevës të bëhet si Çamëria.

‘Kur diçka ta merr Beogradi duhet ta ofrojë Shqipëria duhet ta ofrojë Kosova dhe ata të bëjë garë cila ta ofrojë këtë qenka problem i madh të lëshohet një dokument identifikimi, gjithmonë duhet gjetur një mënyrë për të kapërcyer sfidën problemin që po të krijon shkau’ u shpreh Ragim Mustafa, Zv. Kr. Komuna Preshevë.

‘Rivalitete e brendshme politike ndonjëherë e ka zbehë qëndrimin tonë serioz politik në raport me Beogradin , prandaj ne kemi kërkuar edhe si shoqëri civile që edhe interesimi i Tiranës dhe i Prishtinës në mënyrë që çështjet parimore që e cenojnë drejtpërdrejtë komunitetin tonë të mos jenë pjesë e garës për pushtet politik lokal këtu’ u shpreh Nexhmedin Ademi, Kryetar Bashkia Islame në Luginë të Preshevës.

‘Unë mendoj se kjo çështje do të zgjidhet nëpërmjet faktorit ndërkombëtarë. Vetëm përmes këtij relacioni mendoj se duhet të arrihet një zgjidhje’ u shpreh Visar Memeti, Kryetari i APN.

Vazhdimisht kërkohet në takime apo diskutime ndërkombëtare që kanë në fokus dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që të mos përfshihen në diskutime shqiptarët në Luginë të Preshevës pasi ata duhet trajtuar si çështje më vete. Kjo është e qëllimshme, pasi siç ju treguam, të gjitha problematikat e shqiptarëve në Serbi vijnë nga mosnjohja shtetit të Kosovës dhe politikat që kanë për largimin e shqiptarëve nga Serbia. Pra i vdekuri mbetet i gjallë, fëmija i lindur nuk ekziston, shqiptarët nuk punësohen në Serbi, por kur punësohen në Kosovë mbeten pa identitet, pasojë e politikës serbe.

Nëse flitet për pakicat dhe vendosen në peshore serbët në veri të Kosovës dhe shqiptarët në jug të Serbisë, lehtësisht kuptohet se serbët në Kosovë janë të privilegjuar ndërsa shqiptarët në Serbi të diskriminuar.

‘Absolutisht janë dy botë të ndryshme, i tërë narrative politik i dy dekadave të fundit për të drejtat e pakicave ka degraduar në një drejtim të një pakicë, pakicës serbe në Kosovë që janë privilegje me qëllim që Beogradi ta synojë mekanizmin e kontrollit ta rrit në Kosovë. Kauza jonë ka mbetur nën hije totalisht, në këtë aspekt ne jemi pakicë jo e dorës së dytë por e dorës së tretë komplet’ u shpreh Arben Ferati, Përfaqësues i Këshillit Nacional për Medvegjë.

‘Ashtu siç Kosova garanton të drejta të plota të pakicave brenda territorit të vet sidomos për serbët, Serbia të marrë obligim që trajtojë njësoj shqiptarët në këtë rajon’ u shpreh Shaip Kamberi, deputet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA