Albin Kurti është thirrur si dëshmitar! Gjykata e Prishtinës e konfirmon: Kemi marrë kërkesë nga Prokuroria që të paraqitet

19/02/2025 10:07

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për të urdhëruar paraqitjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit si dëshmitarë për rastin e rezervave shtetërore.

Mësohet se kërkesa është dërguar javën e shkuar derisa, Departamenti Special i Gjykatës Themelore konfirmon pranimin e kërkesës dhe thotë se është duke e shqyrtuar.

Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata“, thuhet në përgjigjen e themelores.

Kurti është ftuar si dëshmitar në dhjetor të vitit të shkuar për t’u paraqitur në hapësirat e Prokurorisë Speciale për të dhënë dëshminë e tij më 16 dhjetor për rastin e keqpërdorimit me rezervat shtetërore.

Kryeministri i Kosovës nuk u paraqit në këtë datë pasi ndodhej jashtë vendit.

Në ndërkohë që refuzoi të paraqitej para hetuesve duke thënë se dëshminë mund ta japë nga zyra e tij në kryeministri.

“Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë“, ishte përgjigjur Kurti, që mes tjerash aludonte se kishte pasur zyrtar qeveritar që ishin intervistuar në kryeministri më herët.

Këtë gjë e kishte mohuar kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, duke thënë që nuk ka njohuri.

Kjo bëri që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ta cilësonte Isufajn edhe si regjisor të një skenari ku kryeministri i vendit shfaqej duke hyrë brenda objektit të Prokurorisë Speciale për intervistim.

Nëse edhe këtë herë, shefi i ekzekutivit në Kosovës refuzon të shkojë për të dhënë dëshminë e tij, ai mund të gjobitet deri në 250 euro.

Në ndërkohë, mund të bëhet edhe një ftesë tjetër për të, në rast të refuzimit edhe për këtë, Kurti mund të paraburgoset.

Kreu i Qeverisë së Kosovës është i ftuar si dëshmitar, derisa si të dyshuar për rastin e keqpërdorimit me rezervat shtetërore janë Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, zyrtarët e kësaj ministrie, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dhe afaristi Ridvan Muharremi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA