
Një aksident tragjik është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm rreth orës 05:05, në autostradën “Tiranë-Durrës”, me pasojë vdekjen e 28-vjeçarit Gëzim Muçaj dhe plagosjen e tre pasagjerëve që udhëtonin në mjet me të, Eduart Ripa, Ervin Qira dhe Shkëlqim Doci.
Fillimisht shoferi Gëzim Muçaj duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë automjeti është përplasur me trafikndarësen, raporton gazetarja e Top Channel Kleida Muka.
Pasi ka dalë nga automjeti, bashkë me 3 pasagjerët për të parë demet e makinës, gjatë kohës që qëndronin në rrugë, ata janë përplasur nga automjeti me drejtues shtetasin Ismail Lace.
Për pasojë, shoferi Gëzim Muçaj ka humbur jetën, ndërsa 3 pasagjerët e automjetit të tij janë dërguar në spital, për mjekim në spitalin e Traumës.
Ndërkohë Lace është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Top Channel