Analiza e VOA: Dëbimet krijojnë pasiguri për fermerët dhe punonjësit e tyre në Kaliforni

17/02/2025 16:33

Kalifornia qendrore ndodhet aktualisht në sezonin e mbledhjes së luleshtrydheve dhe agrumeve. Por disa punëtorë fermash, imigrantë pa dokumente nuk po paraqiten në punë.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës ky zhvillim, duket se është pasojë e planit në zbatim të administratës Trump për dëbimin e imigrantëve që nuk kanë status ligjor në Shtetet e Bashkuara.

Alejandra punon në një fermë në Kaliforni. Ajo është një imigrantë pa dokumente. Për këtë arsye ajo nuk e bën të ditur identitetin e saj, pasi i druhet dëbimit.

Ajo thotë se ishte rrugës për në punë në fillim të këtij muaji, kur agjentë të Agjencisë së Zbatimit të Ligjit mbi Emigracionin, filluan të kapnin emigrantë pa dokumente rreth qytetit Bakersfield.

“Të martën filluan bastisjet. Të mërkurën ne nuk dolëm në punë sepse ishim të frikësuar. Ne dëgjuam dhe pamë gjatë gjithë ditës që agjentët e e imigracionit ishin shumë aktiv. Ata ishin në vendet kyçe ku rrinë fermerët, ku janë agrumet, kështu që të nesërmen nuk shkova në punë se kisha frikë”, thotë Alejandra.

Presidentja e sindikatës së punëtorëve të fermave, Teresa Romero, thotë se dy nga anëtarët e tyre u arrestuan.

“Punëtorët e fermave që janë deportuar kanë 15 deri në 20 vjet që punojnë këtu. Ata u ndaluan në rrugë. Nuk është se kishin një urdhër kundër një personi të caktuar. Ata u ndaluan nga automjete pas asnjë shenjë identifikuese ndërsa ktheheshin nga puna në shtëpi”, thotë zonja Romero.

Ndërsa administrata Trump thotë se dëbimet e para të emigrantëve janë të përqendruar tek ata imigrantë që dyshohet se kanë kryer krime, zyrtari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për emigracionin Tom Homan thotë se ky është vetëm fillimi.

“Ndërsa do të hapet mundësia edhe për kapjen e atyre që nuk janë kriminel, do të shihni më shumë arrestime. E kam bërë të qartë: nëse je këtu ilegalisht, do të jesh pjesë e planit për dëbim”, thotë zoti Homan.

Në qytetin Bakersfield, banori James Miller thotë se dëbimet mund të krijojnë mungesë punëtorësh, por agjentët e imigracionit duhet të zbatojnë ligjin.

“Mendoj se ishte mashtrim kur u tha se do të bastisnin edhe shkollat. Ata duhet të bëjnë punën e tyre. A do të ndikojë tek ne? Me gjasë po”, thotë zoti Miller.

Banori tjetër JP Avalos thotë se ndikimi ekonomik mund të jetë i madh.

“Pas dy ose tre muajsh kur t’i dëbojnë latinët, do të shohim se sa do të kushtojë ushqimi juaj dhe çfarë do të bëni ju për ta siguruar atë”, thotë zoti Avalos.

Administrata e re ka bërë bastisje edhe në qarkun fqinj Ventura. Më shumë se 80 për qind e korrësve në terren këtu janë emigrantë pa dokumente, sipas vlerësimeve nga Byroja e Fermave jofitimprurëse të Qarkut Ventura.

Maureen McGuire është kryeshefja e kësaj byroje.

“Nëse bëhen dëbime masive dhe humbasim fuqinë punëtore, do të ketë një furnizim më të ulët të ushqimit për mallrat që preken. Më pas dyqanet ushqimore do të jenë në konkurrencë se kush e merr atë ushqim të kufizuar. Kjo do të rrisë çmimet”, thotë znj. McGuire.

Alejandra thotë se ajo u kthye në punë duke mbledhur karota disa ditë pas veprimeve të para të agjencisë së imigracionit. Megjithatë, ajo dhe djali i saj i lindur në Amerikë po qëndrojnë larg vendeve publike për të shmangur agjentët e imigracionit./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA