“Burimi i vetëm më i madh i destabilitetit në rajon”/ Analiza e VOA: Rubio dhe Netanyahu në emërues të përbashkët për Iranin dhe Gazën

16/02/2025 18:22

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka mbështetur plotësisht objektivat e luftës të Izraelit në Rripin e Gazës, duke thënë se Hamasi “duhet të çrrënjoset”.

Shefi i diplomacisë amerikane u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të dielën në fillim të një turneu rajonal, i pari që kur mori detyrën. Zoti Rubio dhe zoti Netanyahu thanë se dy vendet do të punojnë së bashku për të frenuar ambiciet bërthamore të Iranit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë shprehur angazhimin e vendosur për të penguar ambiciet bërthamore të Iranit dhe “agresionin” e tij në Lindjen e Mesme.

Në një konferencë të përbashkët shtypi, Sekretarit amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Jeruzalem thanë se kishin zhvilluar bisedime produktive për një numër çështjesh.

“Irani është burimi i vetëm më i madh i destabilitetit në rajon. Pas çdo grupi terrorist, pas çdo akti dhune, pas çdo aktiviteti destabilizues, pas çdo zhvillimi që kërcënon paqen dhe stabilitetin për miliona njerëz që e quajnë këtë rajon shtëpi, është Irani. Dhe kur them Irani e kam fjalën për drejtuesit, ajatollahët. Mendoj se është e rëndësishme të theksohet vazhdimisht se nëse flasim për Hamasin ose për Hezbollahun, flasim për destabilizimin në Siri, apo milicitë në Irak, duhet gjithmonë të mendojmë se pas është Irani. Dhe nuk mund të ketë kurrë një Iran që zotëron armë bërthamore. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë”, deklaroi shefi i diplomacisë amerikane.

“Izraeli dhe Amerika qëndrojnë krah për krah për t’iu kundërvënë kërcënimit të Iranit. Ne pajtohemi që ajatollahët nuk duhet të kenë armë bërthamore dhe ne gjithashtu pajtohemi që agresioni i Iranit në rajon duhet të marrë fund. Gjatë 16 muajve të fundit, Izraeli i ka dhënë një goditje të fuqishme degëve terroriste të Iranit. Nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump dhe me mbështetjen tuaj të palëkundur, nuk kam asnjë dyshim se ne mund dhe do ta përfundojmë punën e nisur”, deklaroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nisi një turne në Lindjen e Mesme duke filluar me Izraelin, gjatë të cilit gjasat janë që udhëheqësit arabë të shprehin shqetësime për propozimin e Presidentit Donald Trump për të transferuar popullsinë palestineze të Rripit të Gazës në vende të tjera dhe për ta rizhvilluar atë nën drejtimin e SHBA. Ai do të vizitojë më vonë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se presidenti Trump kishte paraqitur një plan të “të guximshëm”për të ardhmen e Gazës. Po ashtu ai theksoi se administrata Trump ishte “shumë e qartë” se Hamasi nuk mund të vazhdojë si një forcë ushtarake apo qeverisëse në këtë territor.

“Presidenti Trump ka qenë gjithashtu shumë i guximshëm në lidhje me pikëpamjen e tij se cila duhet të jetë e ardhmja e Gazës. Jo të njëjtat ide të lodhura të së kaluarës, por diçka që është e guximshme. Dhe kjo ide mund të ketë tronditur dhe habitur shumë njerëz, por nuk mund të vazhdojmë me një njëjtin cikël prej kohësh dhe të mos kemi zgjidhje. Lidhur me Hamasin, presidenti ka qenë shumë i qartë. Hamasi nuk mund të vazhdojë si një forcë ushtarake apo qeverisëse në atë territor. Dhe sinqerisht, për sa kohë që qëndron si një forcë që mund të qeverisë ose si një forcë që mund të drejtojë, apo si një forcë që mund të kërcënojë me përdorimin e dhunës, paqja bëhet e pamundur”, tha zoti Rubio.

“Izraeli është i vendosur të arrijë të gjitha objektivat e luftës që kemi vendosur pas sulmit të tmerrshëm të 7 tetorit, sulmi më i rëndë ndaj hebrenjve që nga Holokausti. Ne do të eliminojmë aftësinë ushtarake të Hamasit dhe sundimin e tij politik në Gazë. Ne do t’i sjellim të gjithë pengjet në shtëpi dhe do të sigurojmë që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin”, deklaroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Këto deklarata vijnë vetëm dy javë përpara përfundimit të fazës së parë të armëpushimit mes Izraelit dhe grupit militant Hamas. Faza e dytë, në të cilën Hamasi do të lirojë dhjetëra pengje të mbetura në këmbim të më shumë të burgosurve palestinezë, një armëpushim të qëndrueshëm dhe tërheqjen e forcave izraelite, ende nuk është negociuar.

Hamasi të cilin Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shtetet perëndimore e kanë shpallur organizatë terroriste pavarësisht se pësoi humbje të mëdha në luftë duket se ka ende kontrollin e Gazës.

Ushtria izraelite ndërkohë tha se kreu një sulm ajror herët të dielën ndaj njerëzve që iu afruan forcave të saj në Gazën jugore. Hamasi tha se sulmi ishte një “shkelje serioze” e armëpushimit dhe akuzoi Netanyahun se po përpiqej të sabotonte marrëveshjen.

Lufta në Gazë u shkaktua nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023, që shkaktoi vdekjen e 1,200 personave dhe gjatë të cilit grupi militant rrëmbeu 250 pengje. Kundërofensiva e Izraelit shkaktoi vdekjen e 48200 palestinezëve, mbi gjysma e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve vendase, të cilat nuk i veçojnë viktimat civile nga militantët. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA