Bullizimi në shkolla, psikologët propozojnë që në shkolla të ketë klasa të inteligjencës emocionale

15/02/2025 19:53

Fenomeni social i bullizmit nuk është i ri, por në epokën digjitale është më i përhapur.

Ngacmime të vazhdueshme në shkolla e që shtrihen edhe në dhunë e përsëritur online, si këto foto të vajzave që pa dijeninë e tyre postohen në rrjete sociale… Për psikologët rritja e rasteve të bullizimit duhet të ndryshojë edhe vëmendjen ndaj shëndetit mendor në sistemin arsimor, ku kërkohet më shumë fokus në edukimin ndaj ndjenjave.

“Do duhej të kishim klasa të inteligjencës emocionale. Programi mësimor është shumë i rëndësishëm, merr njohuri shkencore, teorike, formohesh, por është e domosdoshme një hapësirë që në parashkollor, në arsimin fillor ku individi të mësojë të njohë emocionet, ti emërtojë ato, ti menaxhojë emocionet e vështira, ankthin, frikën, frustrimin, të ul agresivitetin, të dijë si ti vijë në ndihmë dikujt tjetër”, shprehet Lorela Garuli, psikologe.

Mirëpo zinxhiri i shpëtimit të të bullizuarve në mos mbylljen në vetvete, apo edhe të bullizuesve për të ndryshuar sjellje, nis që nga familja. Psikologët bëjnë thirrje që prindërit të flasin çdo ditë me fëmijët për ti bërë ata të ndihen të mbrojtur, e që pas ndarjes së shqetësimeve me ta vjen zgjidhja.

“Siguria është një nga elementët kryesorë të mirërritjes që shoqëron një edukim të shëndetshëm. Prandaj ne si profesionistë të shëndetit mendorë insistojmë gjithmonë për komunikimin e hershëm të ndërtuar në familje. Nëse fëmija e di që mund tia thotë prindit, mësuesit dhe do dëgjohet psikologjikisht kjo do ta ndryshonte qasjen”, shtoi ajo.

Me rëndësi vlerësohet gjithashtu edhe reagimi i pjesës tjetër të klasës, që ka fuqinë ose të shtojë dozën e bullizuesit ose ta ndalojë atë.

“Një element që e ndërpret bullizmin është si reagon klasa. Kur kemi dikë që bullizon dhe një tjetër që është viktimë, e kemi 20 të tjerë që qeshin; nëse ata nuk do të qeshnin nuk do e përforconin, fuqizonin sjellje dhe kjo në gjykimin tim është efekti i spektatorit është shumë e rëndësishme. Kur s’ka reagim, bullizuesi nuk do shikojë vlerësimin audiencën, popullaritetin  dhe me shumë gjasë do e ndërpriste sjelljen”, përfundon psikologia.

Bashkëpunimi institucional me familjen, kërkohet të forcohet në mënyrë që fëmijët të rriten në mjedis më të mirë, me parime dhe vlera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA