Numërimi nuk po ecën mirë në Kosovë, problemet mund të rikthejnë mënyrën e vjetër

14/02/2025 13:18

Katër ditë pas zgjedhjeve ende nuk ka nisur numërimi për votat e kandidatëve për deputetë në të gjitha qendrat komunale të numërimit.

Të enjten ka nisur numërimi për votat e kandidatëve për deputetë edhe në tetë komuna të tjera, derisa mbesin edhe 12 Qendra Komunale të Numërimit, për çka sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thotë se po bëhen përgatitje për të nisur të premten.

Në mbledhjen e KQZ-së u tha se problemet me rënien e sistemit janë tejkaluar tashmë, megjithatë u kërkua edhe kalimi në planin B të numërimit, nëse përsëri do të ketë pengesa të tilla në numërim.

Për këtë opsion të kalimit në metodën e vjetër të numërimit, kryetari i KQZ-së tha se do të pritet deri në dy ditë për të nxjerrë një vendim.

Sa i përket rënies së sistemit të KQZ-së ditën e zgjedhjeve dhe dy ditë më vonë, ky institucion po pret raportin e institucioneve të sigurisë për të sqaruar nëse ka pasur ndërhyrje nga jashtë.

Në mbledhjen e së enjtes u bë e ditur se numërimi në tri qendra do të përfundojë brenda natës.

Po ashtu u njoftua se ka nisur vlerësimi i votimit me postë të votuesve nga jashtë Kosovës. Nga vlerësimi i 8,776 pakove me fletëvotime,  529 janë refuzuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA