![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/0-2025-02-15T073018.366-800x450.jpg)
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se i vetmi zyrtar rus me të cilin ai është i gatshëm të bisedojë është presidenti rus Vladimir Putin, duke shtuar se ai do të takohet me homologun e tij rus vetëm kur Ukraina të arrijë një plan të përbashkët me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderët evropianë.
“Unë do të takohem vetëm me një rus, Putinin. Kjo është kur ne kemi hartuar një plan me SHBA-në”, tha presidenti ukrainas, duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke iu referuar mundësisë së negociatave të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ai tha gjithashtu se Trump i kishte thënë se mund ta telefononte në çdo kohë dhe se presidenti amerikan i dha numrin e tij personal të celularit. Ndër të tjera ai tha se Ukrainës do t’i duhet të dyfishojë numrin e ushtrisë së saj në 1.5 milion personel nëse nuk i bashkohet NATO-s.
Presidenti ukrainas më në fund pranoi se SHBA është kundër anëtarësimit të Ukrainës në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ai shtoi se beson se Uashingtoni kurrë nuk e ka parë Ukrainën si një anëtare të NATO-s, duke vënë në dukje se “ata thjesht flasin për të”.
Top Channel