Gjykatësi bllokon urdhrin ekzekutiv për kufizimin e kujdesit shëndetësor për të rinjtë transgjinorë

14/02/2025 07:25

Një gjykatës federal të enjten bllokoi përkohësisht urdhrin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump që synonte kufizimin e kujdesit shëndetësor për procesin e ndryshimit të gjinisë për personat transgjinorë nën moshën 19 vjeç.

Vendimi i gjyqtarit erdhi pasi një padi u ngrit në fillim të këtij muaji në emër të familjeve me fëmijë transgjinorë, të cilët pretendojnë se kujdesi i tyre shëndetësor është komprometuar me urdhër të presidentit. Një organizatë kombëtare për familjet e anëtarëve të komunitetit LGBTQ+ dhe një organizatë mjekësh janë gjithashtu palë në padinë gjyqësore, një nga shumë paditë që kundërshtojnë një nga urdhrat e shumtë ekzekutivë që ka firmosur Presidenti Trump.

Gjykatësi Brendan Hurson, i emëruar në këtë detyrë nga ish-Presidenti Joe Biden, pranoi kërkesën e paditësve për një urdhër ndalimi të përkohshëm, pas një seance dëgjimore në gjykatën federale në Baltimorë. Vendimi, në fuqi për 14 ditë, e vendos në thelb në pritje direktivën e Presidentit Trump, ndërsa çështja vazhdon. Urdhri i ndalimit gjithashtu mund të zgjatet.

Menjëherë pas marrjes së detyrës, Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që udhëzonte programet federale të sigurimeve për të përjashtuar mbulimin për kujdesin për ndryshimin e gjinisë. Kjo përfshin programin Medicaid, i cili mbulon shërbime të tilla në disa shtete, dhe programin TRICARE për familjet e ushtarakëve. Urdhri i Presidentit Trump i bëri thirrje gjithashtu Departamentit të Drejtësisë që të ngrinte me përparësi padi gjyqësore dhe të hartonte legjislacionin për ta kundërshtuar këtë praktikë.

Padia përfshin disa rrëfime nga familjet për anulim të takimeve me mjekët, pasi institucionet mjekësore po reagojnë ndaj direktivës së re.

Avokatët e paditësve argumentojnë se urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump është “i paligjshëm dhe antikushtetues”, sepse kërkon të ndalojë fondet federale të autorizuara më parë nga Kongresi dhe sepse shkel ligjet kundër diskriminimit, ndërsa shkel të drejtat e prindërve.

Ashtu si sfidat ligjore ndaj ndalimeve shtetërore për kujdesin për ndryshimin e gjinisë, padia gjithashtu pretendon se politika është diskriminuese, sepse lejon fondet federale të mbulojnë të njëjtat trajtime, kur ato nuk përdoren për tranzicionin gjinor.

Disa spitale ndaluan menjëherë kujdesin për ndryshimin e gjinisë, përfshirë recetat për ilaçet që bllokojnë pubertetin dhe terapinë hormonale, ndërsa po vlerësojnë se si ndikon tek ata urdhri i ri.

Qasja e Presidentit Trump për këtë çështje përfaqëson një ndryshim të papritur nga administrata e ish-Presidentit Biden, e cila kërkoi të zgjeronte në veçanti mbrojtjen e të drejtave civile për personat transgjinorë. Presidenti Trump ka përdorur gjuhë të fortë në kundërshtimin e kujdesit për ndryshimin e gjinisë, duke thënë pa paraqitur prova se “profesionistët e mjekësisë po gjymtojnë dhe sterilizojnë një numër në rritje fëmijësh mbresëlënës, nën pretendimin radikal dhe të rremë se të rriturit mund të ndryshojnë seksin e një fëmije”.

Organizatat e mëdha mjekësore si Shoqata Mjekësore Amerikane dhe Akademia Amerikane e Pediatrisë mbështesin qasjen në kujdesin shëndetësor për ndërrimin e gjinisë.

Të rinjtë që identifikohen vazhdimisht si të një gjinie që ndryshon nga seksi në lindje, së pari vlerësohen nga një ekip profesionistësh. Disa mund të provojnë një tranzicion shoqëror, ku përfshihet p.sh. ndryshimi i modelit të flokëve, ose se si iu drejtohen të tjerët. Disa më vonë mund të marrin edhe ilaçe për bllokimin e pubertetit, ose hormone. Kirurgjia është jashtëzakonisht e rrallë për të miturit./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA