![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/0-2025-02-15T073018.366-800x450.jpg)
Që nga dita e parë në detyrë, Presidenti Donald Trump e shpalli emigracionin e paligjshëm emergjencë kombëtare. Ai premtoi zbatimin e një premtimi themelor të fushatës për dëbimin e miliona emigrantëve pa dokumente.
Avokatët thonë se emigrantët që përballen me dëbim kanë të drejtën e një procesi të rregullt ligjor.
Zëri i Amerikës bisedoi me avokaten e imigracionit Hannah Flamm, drejtore e politikave në Projektin Ndërkombëtar të Ndihmës për Refugjatët.
“Ngritja e çështjes shënon hapjen e procesit kundër jush, se kur mund të aplikoni për azil, që të mbroni të drejtën për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Individi del para gjykatës së imigracionit dhe nëse nuk e fiton çështjen, atëherë lëshohet urdhri i dëbimit”.
Ajo thotë se dëbimi mund të ndodhë menjëherë, ose mund të marrë shumë kohë.
“Është e mundur që dikush të dëbohet pas disa muajsh apo vitesh të ngritjes së çështjes. Po ashtu ka raste kur dikush është dëbuar pak orë ose ditë pas hyrjes në Shtetet e Bashkuara, ose pasi ka jetuar këtu për vite të tëra. Po ashtu, ka raste që dikush është dëbuar brenda disa orësh ose ditësh pas ndalimit në bazë të politikave të fundit të Presidentit Trump”.
Që nga 21 janari, autoritetet federale kanë arrestuar mbi 8200 individë dhe kanë kërkuar ndihmë nga agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit.
Qeveria amerikane ka zgjeruar gjithashtu metodën e dëbimit të përshpejtuar, çka lejon punonjësit e imigracionit të anashkalojnë gjykatën. Tom Homan është i emëruari i Shtëpisë së Bardhë për kufirin.
“Duhet të bëjmë më shumë. Po kërkojmë mënyra për të qenë më efecientë për të bërë më shumë”.
Qeveria amerikane po shfrytëzon bazën amerikane në Guantanamo si qendër paraburgimi për emigrantët pa dokumente.
“Kjo qendër do të ketë 30 mijë shtretër për emigrantët. Presidenti Trump është zotuar se atje do të dërgohen individët më të rrezikshëm”, thotë zoti Homan.
Ndërkohë kanë filluar sfidat ligjore. Një gjykatës federal në Nju Meksiko bllokoi së fundmi transferimin në Guantanamo të tre emigrantëve nga Venezuela. Veprimtarët kanë ngritur padi ndaj qeverisë amerikane për mbajtjen e të ndaluarve në Guantanamo pa qasje nga avokatët apo pjesëtarët e familjes.
“Është hera e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që qeveria ka ndaluar individë në Amerikë dhe i dërgon ata në Guantanamo”, thotë Hannah Flamm, avokate emigracioni.
Një zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare i tha Zërit të Amerikës se aktualisht në Guantanamo po mbahen individë që kanë marrë urdhrin përfundimtar të dëbimit, përfshirë kriminelë të dhunshëm. Ndërsa vazhdojnë sfidat ligjore, qeveria amerikane po zbaton masat e dëbimit. /VOA
Top Channel