![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2024/07/veliaj_sd-1-800x450.jpg)
Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur një hetim për vetëvrasjen e 17-vjeçares, tre ditë më parë në banesën e saj.
Sipas autoriteteve, është regjistruar procedim penal për veprën ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka regjistruar procedimin penal për veprën penale ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’ parashikuar në nenin 99 të Kodit Penal.
Mbi bazën e materialeve të referuara nga Komisariati i Policisë Gjirokastër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër ka regjistruar procedimin penal nr.70, të vitit 2025 në lidhje me ngjarjen e datës 10.02.2025, ku në banesën e saj në Gjirokastër u gjet e vdekur shtetasja e mitur I. M.
Në kuadër të këtij procedimi, është ngritur grupi hetimor, i cili po kryen me prioritet të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, duke nisur nga pyetja e personave që kanë dijeni për veprën penale”, thuhet në njoftim.
Çfarë ndodhi gjatë së hënës në Gjirokastër?
I. M., nxënëse e klasës së 10-të në gjimnazin “Siri Shapllo” të Gjirokastrës është gjetur pa shenja jete nga i ati dhe është transportuar për në spital.
Ajo dyshohet se është vetëvarur në banesën e saj ndërsa mjekët e urgjencës vetëm kanë konfirmuar vdekjen.
Ngjarja ka ndodhur gjatë pasdites pasi ishte kthyer nga shkolla dhe sapo ka nisur një hetim për rrethanat.
“Rreth orës 17:00, në spitalin e Gjirokastrës është çuar nga babai i saj, pa shenja jete shtetasja E. M., 17 vjeçe, banuese në Gjirokastër. Nga veprimet paraprake, dyshohet se 17 vjeçarja është vetëvarur në banesë”, njofton policia.
Mësuesit e përshkruajnë 17-vjeçaren si vajzë të qetë me shoqëri të kufizuar dhe me rezultate të mira në shkollë. Askush nuk kishte vënë re sjellje shqetësuese të saj më parë.
Komuniteti i mësuesve dhe nxënësve është shokuar nga ngjarja e papritur.
Top Channel