![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/0-2025-02-13T153831.315-800x450.jpg)
Sot në Kuvend pritet të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat u miratuan në Komisionin e Ligjeve.
Për projektligjin morën fjalën Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Gjiknuri tha se palët politike janë dakordësuar për koston e votës që do të paguhet nga shteti si dhe ngritjen e një komision me natyrë politike për administrimin e votës së diasporës.
Gjiknuri: Sot kemi një mundësi të miratojmë një paketë konsensuale. Është gjë e mirë që ne brenda 7-8 muajsh vijmë me një paketë të dakordësuar që ka të bëjë me zgjedhjet. Premisat për ndryshimet e kodit zgjedhor ishte si të lehtësojmë më shumë votën e diasporës që tashmë ka filluar mbarë me një proces të rregullt.
Janë mbi 130 mijë shtetas që janë regjistruar. Me këtë rritën procesi mund të shkojnë mbi 200 mijë zgjedhës. Nëse do të jetë kjo shifër me pjesëmarrjen reale, Shqipëria do të realizojë një rekord. Sepse pak vende nisur nga raporti i zgjedhësve brenda vendit dhe atyre që do votojnë nga jashtë është një vlerë impresive mbi 14%. Madje as Kosovë që jetën politike e ka ndërtuar mbi diasporën nuk e ka arritur kur e ka përfshirë për herë të parë.
Premisat kanë të bëjnë me lehtësirat administrative që ka kërkuar KQZ për më shumë kohë me qëllim që zarfi të shkojë dhe të vijë tek qytetarët në kohë. Prandaj kemi kërkuar që ta shtyjmë këtë afat të listave. Kostoja e postës besoj do shkojë 35-40 euro për votë. Kjo do të përballohet nga buxheti i shtetit. Kjo është lehtësi dhe nuk ka diçka partiake. Në kodin zgjedhor dolën disa probleme që kanë të bëjnë zbatimin e të drejtës së votës. Ne gjetëm dakordësi për të kompozuar një komision me natyrë politike për administrimin e votës së diasporës përmes ZAZ përkatëse dhe VNV që do jenë në Tiranë.
Nga ana tjetër, Bylykbashi tha se mazhoranca, qëllimisht nuk e votoi më herët ndryshimin në kodin zgjedhor, ku diaspora nuk do paguajë 40 euro për postën, me të cilën do të dërgojnë votën më 11 maj.
Bylykbashi: Ju kanë plasur ujërat jeni gjithë dhimbje, keni disa ditë nuk dini ku e keni kokën. Ajo që parlamenti ka sot përpara, është përpjekje e gjatë për të bërë efektive votën e atyre nga jashtë. Nëse do të kishit qenë më të gatshëm, nuk do kishte pritur kryeministri i Shqipërisë, 1 javë më parë që të zgjaste afatin e dokumenteve të skaduara. E keni bërë qëllimisht që ata të mos regjistrohen. Akti normativ që keni nxjerrë është i paplotë dhe diskriminues. E keni parashikuar për ata që votojnë nga jashtë. Në vitin 2009, me kërkesën e opozitës, Damian, ke ardhur 3 herë dhe ke kërkuar ndryshimin e vendimit të qeverisë për t’u pajisur me karta identiteti. Kësaj radhe jo, çdo përpjekje për ta bllokuar. Ata nuk do të pagujnë më siç ishin kërcënuar, 40 euro. U mbajt gjatë derisa erdhi në pikën kur erdhi sot. Mund të bëhej 1 cent, pothuajse falas, por duhej vonuar, që të shkurajoheshin sepse kushton 40 euro ta kesh votën nga Evropa apo Amerika. Kemi bërë të mundur të garantohen me të njëjta standarde, votimi administrohet dhe vota numërohet me baraspeshë. Do të ketë më shumë kohë KQZ, që mos të kolapsojë procesi.
Ankimi i atyre që votojnë nga jashtë, të jetë online, i shpejtë dhe efektiv. Janë 4.7 milionë shtetas shqiptarë në regjistrat e gjendjes civile. 3.7 milionë janë në listën e zgjedhësve. 79 përqind e gjendjes civile janë shtetas me të drejtë vote. Ky debati, pse duhet të vazhdojë kaq i nxehtë, kur zgjidhja është. Tek formularët e patronazhistëve, kërkoni vetëm dokumente shqiptare. Po hynë në lojë ata, nuk e dini se çfarë ndodh. Shembuj si këto ka pa fund, dhe ju garantoj, mundësia për t’u regjistruar teknikisht është e mundur në KQZ, ju duhet të bini dakord. Të drejtën e votës duhet ta kenë të gjithë shqiptarët, me dokumente të huaja, të kenë të drejtë të votojnë. Jepini mundësi të gjithë qytetarëve të votojnë.
Top Channel