![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/4eb153a1-7ff5-42e3-8163-bf6226b6d870_w1023_r1_s_sd-800x450.jpg)
Arrestimi me urdhër të SPAK i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ka shkaktuar një tërmet të fortë politik brenda radhëve të mazhorancës.
Gazetarja Jonida Shehu ishte e ftuar në “Top Story”, ku u shpreh se kryeministri Edi Rama konfirmoi se drejtësia ka probleme me standardet.
Teksa i bëri një analizë se si e shikon gjithë çështjen, Shehu ngriti pyetjet nëse “Rama ka hallin e tij, Veliajt apo të zgjedhësve?”. Më tej ajo shtoi se kreu i qeverisë po kujdeset që të mos ketë asnjë kosto elektorale.
“Ka shumë mënyra se si mund ta lexosh këtë situatë, varet nëse do e shohësh me detaje dosjen. Kur je në pozicionin si gazetar ke pak më shumë mundësi të përtypësh disa lloje informacionesh. Unë kuptoj se cilat janë pyetjet kryesore dhe kam përshtypjen se dy tre gjëra kryesore janë të qarta për të gjitha. E para, është për t’u kuptuar lëvizja e Ramës, ndryshimi i kursit. “Ka hallin e tij, Veliajt, apo të zgjedhjeve?”. Për mua ka qenë një hall i vërtetë i tij, ai ka dashur t’i flasë disa lloje grupimeve. Ka dashur t’i flasë partisë së tij dhe mbështetësve socialistë. Ai ka mbledhur të vetët dhe ka thënë “rrini këtu. Jam këtu nuk kam ‘vdekur’ akoma”.
Po kujdeset që të mos ketë kosto elektorale. Ka konfirmuar se drejtësia ka probleme me standardet, siç e kam lexuar unë. Ai ka konfirmuar që s’ka standard. Është standardi i dyfishtë i kryeministrit, kjo në leximin tim”, u shpreh ajo.
Top Channel