![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/1920x1080_cmsv2_4c6b29a7-af34-5071-ac15-0de1a0dd9c8c-9050668_sd-800x450.jpg)
Gjatë zgjedhjeve të BE-së, gati gjysma e gjermanëve patën cituar emigracionin si shqetësimin kryesor që do të influenconte votën e tyre, e duket se kjo vlen edhe për votimet e brendshme.
Në fakt, emigracioni zë vendin e parë në listën e shqetësimeve të votuesve gjermanë, i pasur menjëherë në vend të dytë nga ekonomia. Në këto dy çështje, i kanë përqendruar tashmë partitë vendase premtimet e tyre të fushatës.
Dy javë më parë, një debat në parlamentin gjerman shkaktoi protesta mbarëkombëtare pasi kreu i Unionit Kristian Demokrat CDU, Friedrich Merz, paraqiti një mocion jodetyrues që forconte rregullat e emigracionit e për herë të parë në historinë e vendit të pasluftës, ai kërkoi ndihmën e ekstremit të djathtë për të avancuar nismën e tij. Pavarësisht kritikave ndaj propozimeve të Merz dhe gatishmërisë së tij për të punuar me AfD-në, lëvizje kjo që u dënua gjerësisht, edhe partitë e tjera politike të Gjermanisë kanë kërkuar gjithashtu ligje më të rrepta për emigracionin.
Social Demokratët e kancelarit aktual Olaf Scholz dhe partia e Gjelbër kanë shkuar deri aty sa të premtojnë dëbime më të mëdha dhe më të shpejta nga Gjermania. Zotimet e lidhura me ekonominë nga ana tjetër fokusohen më së shumti tek ulja e cmimit të energjisë, të cilës SPD i shton edhe rimbursimet tatimore për investimet. Kështu, socialdemokratët po planifikojnë një nxitje dhjetë për qind për investimet e kompanive në industri dhe në pajisje të reja. Dhjetë për qind e çmimit të blerjes mund të zbriten menjëherë nga tatimi, ato para duhet të derdhen në llogarinë e tyre.
SPD e quan këtë plan një bonus “Made in Germany” që duhet të funksionojë pa burokraci komplekse dhe aplikime të gjata. Ndërsa CDU/CSU ofrojnë një zgjidhje konkrete për prodhimin e energjisë me cmim të ulët, duke përmendur mundësinë e rikthimit të energjisë bërthamore.
Top Channel