Trump nënshkruan urdhër ekzekutiv për vazhdimin e zvogëlimit të përmasave të qeverisë federale

12/02/2025 07:29

Presidenti Donald Trump bëri një dalje të rrallë në Zyrën Ovale të martën me këshilltarin e tij më të fuqishëm, Elon Musk përpara se të nënshkruante një urdhër ekzekutiv për të vazhduar zvogëlimin e përmasave të qeverisë federale.

Agjencia e lajmeve Associated Press arriti të sigurojë një dokument të Shtëpisë së Bardhë lidhur me urdhrin ekzekutiv që synon të çojë përpara punën e zotit Musk për uljen e shpenzimeve qeveritare përmes Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, shkurtimisht DOGE.

Zoti Musk tha se në qeverinë federale ka disa punonjës të mirë, por ata duhet të mbajnë përgjegjësi për punën që bëjnë, ndërsa e quajti burokracinë federale degë të katërt të pushtetit të “pazgjedhur me anë të votës”

“Populli votoi për një reformë të madhe në qeveri dhe kjo po ndodh”, tha ai. “Kjo nënkupton demokracinë”.

Kjo është hera e parë që zoti Musk u pyet nga gazetarët që kur iu bashkua administratës së Presidentit Trump si një punonjës i posaçëm me ndikim të gjerë mbi agjencitë federale. Ai është gjithashtu individi më i pasur në botë dhe pronar i platformës sociale X.

Zoti Musk është kritikuar për një detyrë shumë të fuqishme dhe nuk ka mbikëqyrje. Pavarësisht shqetësimeve për pak transparencë, zoti Musk e cilësoi veten si një libër të hapur.

Në dokumentin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se “agjencitë do të ndërmarrin plane për reduktimin e punonjësve federalë në shkallë të gjerë dhe do të përcaktojnë se cilët përbërës të agjencisë (ose vetë agjencitë) mund të eliminohen ose bashkohen për shkak se funksionet e tyre nuk kërkohen në bazë të ligjit”.

Dokumenti gjithashtu thotë se agjencitë duhet të “punësojnë jo më shumë se një punonjës për çdo katër që largohen nga qeveria federale”. Përjashtime ka në rastet kur bëhet fjalë për imigracionin, zbatimin e ligjit dhe sigurinë publike.

Presidenti Trump dhe zoti Elon Musk po u kërkojnë punonjësve federalë që të japin dorëheqjen në këmbim të stimujve financiarë, ndonëse plani i tyre është në pritje ndërsa një gjykatës shqyrton ligjshmërinë e tij.

Në bazë të planit, punonjësit që japin dorëheqjen do të paguhen deri më 30 shtator. Zyrtarë të administratës thanë se më shumë se 65,000 punonjës e kanë pranuar ofertën./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA