Protestë e re në Igumenicë për mbylljen e repartit ushtarak të Batalionit 628 të Këmbësorisë në Filiates.
Qindra banorë të Igumenicës kanë zhvilluar një protestë dinamike mesditën e së martës duke kërkuar të mos mbyllet reparti ushtarak i Batalionit 628 në Filates, i vetmi në prefekturën rurale të Thesprotisë.
Në tubimin dhe marshimin e banorëve drejt portit kanë marrë pjesë zyrtarë të pushtetit vendor, përfaqësues të grupeve shoqërore dhe një pjesë e madhe e banorëve .
Demonstruesit kanë hedhur parulla si “Duart poshtë nga 628”, “Jo shkretimit dhe tharjes”, “Thesprotia do siguri, jetë dhe punë”, duke shprehur kundërshtimin e tyre të fortë ndaj largimit të mundshëm të njësisë ushtarake, e cila konsiderohet prej tyre kritike për sigurinë dhe kohezionin e shoqërisë lokale.
Ata më pas kanë marshuar nga qendra e qytetit drejt portit, ku mbyllën në mënyrë simbolike hyrjen e tij.
Ka gati një javë që vijojnë protestat ,ndërsa është planifikuar edhe një protestë e re në Athinë, të premten e ardhshme, me një tubim jashtë Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, ku pritet t’i bëhet kërkesa lidershipit politik dhe ushtarak që të anulojë vendimin për mbylljen e repartit në fjalë.
Prej të martës së kaluar, janë zhvilluar tubime në komunën e Filatit ku pjesë e protestave janë bërë edhe nxënësit, të cilët kanë bojkotuar prej ditësh mësimin.
Ndërsa të enjten revolta qytetare ka marrë përmasa më të mëdha, pasi edhe punonjësit e bashkisë nuk kanë shkuar në zyra.
Banorët dhe zyrtarët lokalë shprehen se reparti ushtarak krijon një ndjenjë sigurie në zonën e tyre rurale, si dhe kontribuon në ekonominë lokale, që fatkeqësisht vazhdon të tkurret.
Top Channel