![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/0-2025-02-11T163813.309-800x450.jpg)
Për David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, tkurrja e numrit të votave për LVV në parlamentaret e së dielës krahasuar me zgjedhjet e 2021-shit, tregojnë se grindjet e përplasjet e kryeministrit Albin Kurti me SHBA-në e kanë dëmtuar deri në një farë pike partinë e tij.
Kanin u shpreh në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nëse Kurti zgjidhet sërish kryeministër, nuk është e qartë nëse marrëdhëniet me SHBA-në do të bëhen më mirë. “Njerëzit përreth presidentit Donald Trump, janë të pakënaqur me të, ashtu siç ishin edhe njerëzit përreth ish-presidentit Joe Biden”, shprehet Kanin.
Eksperti kujton se detyrimi i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është zbehur aspak, dhe kushdo që do të formojë qeverinë e re të Kosovës, do të përballet sërish me këtë kërkesë të ndërkombëtarëve, një nga pikat kyçe të marrëveshjes së arritur mes dy vendeve.
Viteve të fundit, SHBA-ja disa herë i ka tërhequr vërejtjen Qeverisë së Kurtit për disa veprime në veriun e Kosovës, që ajo i ka konsideruar si të njëanshme dhe të pakoordinuara. Kanin sërish thekson se rezultati i zgjedhjeve nuk është katastrofike për Kurtin, sepse ai vazhdon të ketë partinë më të madhe.
“Sipas prognozave, Kurti mund t’i sigurojë 54 mandate, e për të formuar shumicën i duhen edhe 7. Këtë mund ta sigurojë me pakicat joserbe. Nuk po them se kjo do të ndodhë, por nëse Kurti është i gatshëm të bëjë koalicion – sepse ka thënë që jo – ai e ka shansin”, nënvizon eksperti, i cili mendon gjithsesi se amerikanët do të ishin për një qeveri që do të jetë e bashkuar – më e pakta për- nga vullneti për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Top Channel