Luhatjet e forta të votave të PD-së, përballë murit 800 mijësh të PS-së

12/02/2025 14:10

Nga Eduard Zaloshnja

Jo zyrtarisht, fushata elektorale filloi këtë javë nga dy partitë e mëdha, me motorë të ndezur në kapacitet të plotë nga të dyja (partitë e vogla tash e tutje do të jenë thjesht një fusnotë në mejdanin elektoral). PD-ja prezantoi si strateg të fushatës së saj ish-konsulentin elektoral të Trumpit, duke u mburrur se ai do t’a çojë drejt fitores më 11 maj. Ndërsa Rama deklaroi se do të vihet në krye të fushatës elektorale të qarkut Tiranë (fill pas arrestimit të Veliajt), duke thënë se 800 mijë votat e këtushme PS-ja do t’i ketë të sigurta në rang vendi, por do t’i afrohet 1 milionë votave me ndihmën e emigrantëve.

Pjesa e parë e deklaratës së Ramës bazohet në fakt në rezultatet elektorale të partisë së tij në dekadën 2013-2023 (shihni: https://javanews.al/qendrueshmeria-e-800-mije-votave-per-te-zgjedhurit-socialiste-pavaresisht-arrestimeve-te-zyrtareve-te-larte-te-ps-se/ ). Ndërsa pjesa e dytë është një hamendje që nuk mbështetet nga shifrat e deritashme të regjistrimit të emigrantëve në KQZ.

Nga 194 mijë kërkesa që kanë bërë emigrantët në KQZ për votim me postë, vetëm 125 mijë janë miratuar deri më sot. Edhe sikur të miratohen 200 mijë deri më 4 mars, jo të gjithë do të dërgojnë vota të vlefshme. Dhe kuptohet që jo të gjitha votat e vlefshme do të jenë për PS-në. Pra, 1 milionë votat e dëshiruara gjithsej nga Rama janë praktikisht të paarritshme…

Po shpresa e PD-së për fitore më 11 maj, a bazohet në rezultatet e saj elektorale në dekadën 2013-2023?

Kur Berisha ishte kryeministër, koalicioni i udhëhequr prej tij (PD+satelite) i humbi thellë zgjedhjet e 2013-ës, duke siguruar vetëm 681 mijë vota të vlefshme. Në zgjedhjet e 2017-ës, PD+satelite siguruan vetëm 456 mijë vota të vlefshme (rekordi më i ulët historik).

Në zgjedhjet e 2021-shit, PD+satelite u ngjitën në shifrën e pamjaftueshme të 622 mijë votave të vlefshme. Ndërsa në zgjedhjet e 2023-shit, kandidatët e PD-së për kryebashkiakë (të përkrahur në terren nga PL, PR, PAA, etj) zbritën në shifrën e 501 mijë votave (shihni grafikun e mëposhtëm), duke patur përballë pothuaj 800 mijë vota të kandidatëve për kryebashkiakë të PS-së (që fituan në 54 nga 61 bashkitë).

Këto luhatje të forta të votave të PD-së tregojnë se ajo nuk ka një bazë të qëndrueshme elektorale, për t’u përballur me murin 800-mijësh të PS-së…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA