Lista e klientëve të Jeffrey Epstein-it do të publikohet! Administrata Trump “shkund” dosjet sekrete

12/02/2025 07:58

Disa dokumente të klasifikuara, përfshirë ato lidhur me sulmet terroriste të 11 Shtatorit, origjinën e Covid-19 dhe vrasjen e JFK-së, pritet të publikohen.

Lista e klientëve të Jeffrey Epstein-it do të përfshihet gjithashtu në dokumentet që do të deklasifikohen nga një grup i ri pune i krijuar nga administrata Trump për të nxjerrë në dritë sekrete federale.

Anna Paulina Luna, një anëtare e Kongresit e emëruar nga Presidenti Trump për të udhëhequr këtë grup, njoftoi të martën se dokumentet e deklasifikuara do të përfshijnë informacion për sulmet e 11 Shtatorit, origjinën e Covid-19, vrasjen e Presidentit John F. Kennedy, UFO-t, dhe një listë kontakti që i përkiste financierit famëkeq Epstein.

Luna, një përfaqësuese nga Florida, tha se qeveria federale “ka fshehur informacione për dekada” dhe se “ka ardhur koha për t’u dhënë amerikanëve përgjigjet që meritojnë”.

Nuk është e qartë nëse lista e klientëve është e ndryshme nga libri i zi i Epstein-it, kopjet e të cilit janë bërë publike gjatë seancave gjyqësore dhe përmbanin figura të njohura si Princi Andrew, ish-Presidenti i SHBA Bill Clinton, Bill Gates, dhe vetë Trump. Nuk ka pasur asnjë sugjerim për ndonjë veprim të gabuar nga ana e këtyre personave.

Sipas Presidentit, ai dhe Epstein, të dy banues në Palm Beach të Floridës, ishin shokë të ngushtë që u ndanë në vitet 1990, disa vite para arrestimit të parë të Epstein-it për kërkimin e seksit me vajza në vitin 2008. Trump, 78 vjeç, gjithashtu insistoi se ai nuk ka vizituar kurrë shtëpinë e Epstein-it në Ishujt Virgin të SHBA dhe nuk dinte asgjë për abuzimin seksual me gra dhe vajza.

“Nuk jam i përfshirë,” tha ai në një podcast në shtator, kur iu tha se ai kishte shprehur “hezitim” për të shpërndarë dokumentet lidhur me Epstein-in.

“Unë nuk kam shkuar kurrë në ishullin e tij, për fat të mirë, por shumë njerëz kanë shkuar,” tha Trump, duke aluduar se regjistrat e fluturimeve nga avioni privat i Epstein-it e tregonin Clinton-in si pasagjer.

Pam Bondi, prokurorja e përgjithshme e emëruar nga Trump, i tha Fox News javën e kaluar: “Ne e dimë që ai [Clinton] ka qenë në avion, i quajtur Lolita Express, disa herë. Ai ka qenë një mik i tij për shumë vite. Kundër kësaj, Donald Trump nuk ka biseduar me të për më shumë se një dekadë pas se e përzuri nga Mar-a-Lago për sjellje të këqija.”

Clinton ka mohuar këtë pretendim.

Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të deklasifikuar dokumente lidhur me vrasjet e JFK dhe Martin Luther King Jr. në shkurt. Ky hap ka nxitur kërkesa nga njerëzit për presidentin që të publikojë një listë klientësh që ata shpresojnë se do të tregojë kush ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në rrjetin e pretenduar të trafikimit seksual të Epstein-it.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA