![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/ins_sd-800x450.jpg)
Në Tiranë, rizgjedhja e Trump u mirëprit nga të dy kampet politike. Opozita e djathtë, ishte më e zellshme për të treguar entuziazmin duke besuar se liderit të saj Sali Berisha do të mund ti hiqet “non grata” nga SHBA.
Një penalizim që vetë Berisha dhe ithtarët e tij, janë kujdesur ta prezantojnë si një akt të sponsorizuar nga miliarderi Xhorxh Soros, për interesa të rivalit të tij politik Edi Rama. Por, njohësit e politikave amerikane e kanë konsideruar atë një proces të shtrirë në kohë.
“Instrumetnit i ‘Non Gratës’ është një mjet i ri që ka filluar të përdoret për arsye sigurie të SHBA në momentin që u miratua siguria e re Biden, që tani është bërë mjet sigurie dhe filtrat që kalon një person në rastin konkret Berisha, natyrisht që janë shumë të rreptë nuk janë rastësorë’ u shpreh Besian Zogaj, pedagog.
“Mos harrojmë interesat strategjike që shteti amerikan ka në Ballkan dhe, kjo është treguar qoftë në ndihmën që është dhënë për ndihmën e Kosovës apo edhe për futjen e Shqipërisë në NATO apo lobimin që SHBA bëjnë që ne të jemi sa më shpejtë pjesë e Europës” u shpreh ish-Kreu i KPK, Alfred Balla.
Edhe socialistët e Shqipërisë, prej 3 mandatesh në pushtet, ishin të relaksuar me fitoren e dytë të Trump. Mandati i parë i tij ishte tregues se politika dhe mbi të gjitha, mbështetja amerikane për Shqipërinë nuk pësoi asnjë ndryshim thelbësor. Kjo, përpos retorikave që edhe aso kohe ishin kontroverse. E madje, plot shpresë për konservatorët e Shqipërisë. Ata ëndërronin një hakmarrje të Trump ndaj kryeministrit Rama që kishte bërë një deklaratë kundër kandidaturës së republikanit para fitores së parë të tij.
“Një tjetër element i ri i politikës së jashtme të administratës Tramp është ajo që quhet diplomacia imponuese, dhe këtë e shohim shumë mirë në marrëdhëniet me vendet kufitare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila mesa duket do përshkallëzohet edhe me vendet e tjera” u shpreh Besian Zogaj, pedagog.
Top Channel