Çfarë ndodh me Kurtin e pakicat? BE: Presim me padurim formimin e qeverisë në Kosovë

12/02/2025 14:59

Bashkimi Europian pohoi se pret me padurim krijimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të cilat i cilësoi si paqësore dhe konkurruese.

Përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionerja e zgjerimit Marta Kos e bënë të qartë se do ta “vazhdojnë angazhimin me autoritetet, me qëllim mbështetjen e Kosovës për t’u afruar më shumë me BE-në dhe për të përfituar plotësisht nga mundësi të rëndësishme si, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.

BE-ja pret që Qeveria e re e Kosovës të angazhohet në bashkëpunim të përgjegjshëm rajonal dhe t’i rrisë përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike, si dhe për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, theksohet në deklaratë, ku përsëritej edhe një herë qendrimi i Brukselit se avancimi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është e vetmja mënyrë për Kosovën për të ecur përpara në rrugën e saj europiane.

Pas numërimit të mbi 99 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti rezulton e para pasi ka siguruar 47 nga 120 vendet që janë gjithsej në parlament, jo mjaftueshëm megjithatë, për të qeverisur e vetme. Nga rezultatet e deritanishme, Partia Demokratike e Kosovës pritet të ketë 25 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe koalicioni i mbledhur rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë. Të gjitha këto shifra mund të ndryshojnë kur të përfundojë numërimi i votave me kusht dhe ato të diasporës. Shpresa aktuale e Kurtit për formimin e ekzekutivit do të ishin votat e pakicave.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nga gjithsej 120 vende parlamentare në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave dhjetë për komunitetin serb dhe dhjetë për komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë. Nga komuniteti boshnjak me tre vende në parlament, thonë se mbështetja e tij do t’i shkojë kandidatit për kryeministër që do t’i plotësojë kushtet e këtij komuniteti, përfshirë krijimin e komunës së Zhupës me shumicë boshnjake. Partia e Bashkuar Rome e Kosovës thotë se do t’i japë mbështetje të pakushtëzuar Qeverisë së re pavarësisht se nga cila parti vjen i mandatuari për kryeministër. Nuk ka ende asnjë koment nga ana e komunitetit turk, ashkalinjve dhe egjiptjanëve.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta