![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/gettyimages-2191440593_hd-800x450.jpg)
Një megaoperacion i policisë italiane çoi në pranga 183 anëtarë të organizatës mafioze Cosa Nostra, aktive në Palermo.
Ata akuzohen për krijimin e një organizate mafioze, për vrasje të mbetura në tentativë, zhvatje me metoda mafioze, trafik droge, krime që përfshijnë armëmbajtje pa leje, krime kundër pronës, kundër personit dhe lojëra të paligjshme të fatit.
Në pranga kanë rënë nga bosët e mëdhenj deri të ushtarët e thjeshtë, ndërsa një operacion i tillë kundër mafias në Itali nuk ndodhte që prej vitit 1984.
Hetimi, i kryer nga karabinierët dhe i koordinuar nga prokurori Maurizio de Lucia tregon historitë e biznesit të klaneve mafioze që e kanë zanafillën te paratë e drogës, të cilat janë kthyer në qendër të agjendës së Cosa Nostra-s, teksa thurin aleanca gjithnjë e më të ngushta me ‘Ndranghetën’. Ky hetim tregoi se si bosët e mafias arrijnë të menaxhojnë punët e tyre jashtë, madje edhe të porosisin krime të tjera.
E gjitha thonë hetuesit falë pajisjeve shumë të sofistikuara. Falë celularëve, kumbarët e mafias zhvillonin on line mbledhjet me mafiozët e tjerë dhe flisnin pa u shqetësuar për bizneset e tyre. Pikërisht përgjimi i bisedës së dy të burgosurve, çoi në zbulimin e emrave të anëtarëve të tjerë të organizatës.
“Mafia duhet mposhtur me vendosmëri dhe pa asnjë kompromis” dhe ky operacion tregon se shteti është në këmbë, tha kryeministrja Giorgia Meloni.
Top Channel