![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/TRUMP_sd-2-800x450.jpg)
Papa Françesku ka kritikuar programin e administratës Trump për dëbimin e emigrantëve dhe ka hedhur poshtë përdorimin e teologjisë nga nënpresidenti amerikan, JD Vance për të mbrojtur agjendën e presidentit.
“Kam ndjekur nga afër krizën e madhe që po kalojnë Shtetet e Bashkuara me fillimin e një programi të dëbimeve masive. Nuk mund të mos bëj një gjykim kritik dhe të mos shpreh mosmarrëveshjen me çdo masë identifikon statusin e paligjshëm të disa emigrantëve me kriminalitet”, shkroi Papa në një letër drejtuar peshkopëve të Shteteve të Bashkuara.
“Ajo që ndërtohet mbi bazën e forcës, dhe jo mbi të vërtetën për dinjitetin e barabartë të çdo njeriu, fillon keq dhe do të përfundojë keq”, shtoi Papa.
Në letrën e tij, papa tha se çdo shtet kishte të drejtën të “mbante komunitetet të sigurta nga ata që kanë kryer krime të dhunshme ose të rënda gjatë qëndrimit” dhe të sigurojë migrimin e rregullt.
Por Papa tha se dëbimi i njerëzve që kanë ikur nga atdheu i tyre për shkak të faktorëve si varfëria ekstreme, persekutimi dhe përkeqësimi i mjedisit “dëmton dinjitetin e shumë burrave, grave, dhe të familjeve” dhe i bën ata të pambrojtur.
Në prag të inaugurimit të Trump muajin e kaluar, Françesku, i cili ka mbrojtur gjithmonë emigrantët, i përshkroi dëbimet si një “turp”.
Trump e ka kritikuar më parë Papa Françeskun. Në vitin 2016, pasi Papa sugjeroi se kandidati i atëhershëm për president “nuk ishte i krishterë”, Trump u përgjigj duke thënë se komentet e Françeskut ishin “të turpshme”.
Letra e Papës daton më 10 shkurt por u publikua sot, në të njëjtën ditë që Vatikani njoftoi se Françesku kishte emëruar një peshkop pro-migrant, Edward Weisenburger, si Kryepeshkop të Detroitit.
Top Channel