![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2024/12/Martin-cani-1_sd-800x450.jpg)
Transparency Internacional ka publikuar një raport në të cilin tregohet përparimi i Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, gjë që u komentua nga kryeministri Edi Rama.
Ai u shpreh se me punën e bërë është arritur të mos ketë më radhë nëpër institucione, përfshirë eliminimin e korrupsionit.
“Transparency Internacional ka nxjerrë një raport vjetor ku Shqipëria ka një pozicion me 5 pikë plus, ka përparimin më të madh, së bashku me Kosovën dhe vendet e tjera kanë rënie, ndërsa Mali i Zi në vend.
Këtyre do t’i referohemi pasi këta janë ata që punojnë me fakte dhe të dhëna dhe nuk kanë agjenda politike dhe nuk kanë ambicie për të marrë vota. SIGMA na nxori të parët në rajon, të parët në menaxhimin e financave publike dhe në organizimin dhe zhvillimin e organizatës publike.
Lufta kundër korrupsionit bëhet frontalisht dhe çdo segment bën punë e vet, Shqipëria ka transformuar shërbimet e veta, çdo shqiptar është në gjendje të marrë shërbim nëpërmjet telefonit ose kompjuterit duke mos mbajtur radhë. 47 milionë kontakte me një shërbim të kërkuar apo të dhënë janë zhvilluar në këto vite falë e-Albania, kontakte direkte të eliminuara, kohë direkte e shpëtuar, radhë të shmangura, rrezik bakshishi të eliminuara. Kjo është e rëndësishme dhe qëlloi që u bë edhe ky bashkëbisedim”, tha Rama.
Top Channel