Zgjedhjet në Kosovë/ Associated Press: Prishtina, mes bisedimeve me Serbinë dhe ekonomisë së çalë!

09/02/2025 12:52

Kjo e sotmja përbën të parën herë që nga pavarësia në vitin 2008 që parlamenti i Kosovës ka përfunduar një mandat të plotë katërvjeçar.

Kryesimi i Vetëvendosjes së Albin Kurtit duket se nuk vihet në dyshim, por këtë radhë gjërat ndryshe krahasuar me zgjedhjet e 2021-shit, kur euforia popullore e një alternative tashmë të mirëpërcaktuar, i garantoi një triumf të pastër zgjedhor.

Tani, sikurse evidenton edhe Associated Press, lëvizja e Kurtit, e konsumuar pashmangshmërisht nga 4 vite pushteti, nuk pritet të nuk pritet të fitojë shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, e kjo i lë të hapur mundësinë dy pretendentëve të tjerë kryesorë të bashkojnë radhët, nëse Kurti nuk arrin të formojë dot ekzekutivin. Shpresa të mëdha në këtë skenar kanë varur Partia Demokratike e Kosovës, PDK, liderët kryesorë të së cilës janë në Gjykatën e Hagës të akuzuar për krime lufte, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ose LDK, partia më e vjetër në vend që humbi një pjesë të madhe të mbështetjes pas vdekjes në vitin 2006 të liderit të saj, Ibrahim Rugova.

Gjatë fushatës zgjedhore, të dyja këto parti bënë premtime të mëdha për të rritur pagat dhe pensionet publike, për të përmirësuar arsimin dhe shërbimet shëndetësore dhe për të luftuar varfërinë. Megjithatë, ata nuk sqaruan se nga do të vinin paratë dhe as se si do të tërhiqnin më shumë investime të huaja. Bedri Hamza nga PDK-ja tha vetëm se “kanë një plan për çdo qytet, çdo familje, secilin person”.

“Ne kemi një alternativë për të garantuar një jetë më të mirë në Kosovë”, tha Lumir Abdixhiku nga LDK-ja. Kosova, me një popullsi prej 1.6 milionë banorësh, është një nga vendet më të varfra në Evropë me një prodhim të brendshëm bruto vjetor prej më pak se 6000 euro për person, kujton Associated Press, që nuk harron të përmende gjithashtu faktin që vendi është duke vuajtur gjithashtu pasojat e ngrirjes 90-ditore që i bëri administrate Trump financimit për projekte të ndryshme përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila ka qenë kyçe në promovimin e rritjes së vendit.

Shtetet e Bashkuara kanë investuar 2 miliardë dollarë në Kosovë që nga viti 1999, duke përfshirë investimet mbi 1 miliard dollarë nga USAID.  Zgjedhjet e sotme, sipas agjencisë së njohur të lajmeve, do të përcaktojë se kush do të udhëheqë palën kosovare në bisedimet e ngecura të normalizimit me Serbinë fqinje, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për t’i afruar të dyja palët me anëtarësimin në bllok. Kurti i është kundërvënë fuqive perëndimore me disa veprime polemizuese të kabinetit vitin e kaluar, si ndalimi i përdorimit të dinarit serb dhe transfertat nga Serbia për qytetarët e Kosovës që varen nga shërbimet sociale dhe pagesat. Uashingtoni, Brukseli dhe forca stabilizuese e udhëhequr nga NATO, KFOR, vazhdimisht i kanë kërkuar qeverisë në Prishtinë që të frenohet nga veprimet e njëanshme teksa mbetet gjithmonë e pranishme frika e ringjalljes së konfliktit ndëretnik. BE pezulloi fondet për disa projekte gati dy vjet më parë.

Brukseli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të masës së përkohshme, e lidhur me marrjen e hapave të Kosovës për të shtensionuar situatënnë veri, ku jeton shumica e minoritetit serb. Analistë vendas e theksojnë se “qeveria e re duhet të ndërmarrë hapa vendimtarë për të rikthyer besueshmërinë dhe partneritetin me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga dialogu me Serbinë”.

BE pret që qeveria e re e Kosovës të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun e normalizimit me Serbinë. Kjo është thelbësore për integrimin e Serbisë dhe Kosovës”, pohoi edhe një zëdhënës i Komisionit Evropian për Associated Press. Si BE ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjet e arritura dy vjet më parë që përfshijnë një angazhim nga Kosova për të krijuar një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe. Edhe Beogradit, ato ia kanë bërë të qartë se presin të realizojë njohjen de facto të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA