Zona e Frakullës dhe Kashishtit në Fier ka prodhuesit më të mëdhenj të luleshtrydhes, një nga produktet kryesore të bujqësisë që shkon për eksport.
Fermerët flasin për një sezon të mbarë sa i përket prodhimit. Bashkëshortët Genti dhe Egla Halilaj janë kthyer pesë vite më parë nga Greqia dhe me kursimet e mbledhura atje, ndërtuan një serë diellore me sipërfaqe prej 3 dynymësh për kultivimin e luleshtrydhes, por thonë se gjithçka është produkt i mundit të tyre, pasi nga shteti nuk kanë asnjë ndihmë.
“Çdo vit kemi shtuar sipërfaqet me sera, dhe sot kemi arritur në 11 dynymë, duke marrë një prodhim mbi 35 tonë luleshtrydhe. Pothuajse e gjithë prodhimi shkon për eksport, ndërsa një sasi e vogël për tregun vendas”.
Ndonëse nga prodhimi i kësaj sere, mbetet vetëm një pjesë e vogël për tregun vendas, fermerët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për vendosjen e një rregullatori, pasi thonë se grumbulluesit abuzojnë me çmimet.
“Sot për sot çmimi nuk është shumë i kënaqshëm, sepse kemi shpenzime të larta. Luleshtrydhja është një bimë që kërkon shumë investime dhe fuqi punëtore”.
Mungesa e krahut të punës është një tjetër sfidë për ta.
“Shumë të rinj kanë emigruar dhe detyrohemi të punësojmë kryesisht gra të moshuara në prag pensioni”.
Krahas përcaktimit të një çmimi javor për të shitur produktin e tyre, këta fermerë thonë se nuk përfitojnë as subvencione për këtë kulturë.
Top Channel