Sanksionet e Trump ndaj GJNP-së, BE i del në mbrojtje Gjykatës: Garanton llogaridhënie për krimet ndërkombëtare, duhet të jetë e lirë

07/02/2025 11:48

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar në Twitter ndaj vendimit të Trump për të vendosur sanksione kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC).

“Gjykata Ndërkombëtare Penale garanton llogaridhënien për krimet ndërkombëtare dhe u jep një zë viktimave në mbarë botën. Ajo duhet të jetë e lirë të ndjekë luftën kundër pandëshkueshmërisë globale. Evropa do të mbështesë gjithmonë drejtësinë dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar”, tha von der Leyen.

Një ditë më parë Presidenti Donald Trump autorizoi sanksione ekonomike dhe udhëtimi ndaj punonjësve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale që hetojnë shtetasit amerikanë apo të vendeve aleate si Izraeli, duke përsëritur veprimet që ndërmori gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Vendimi përkon me vizitën në Uashington të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) së bashku me ish-ministrin e tij të mbrojtjes dhe një udhëheqës të grupit militant palestinez Hamas, në lidhje me luftën në Rripin e Gazës. Ende nuk dihen emrat e individëve të sanksionuar.

Ndërkohë vetë Gjykata Ndërkombëtare Penale ka dënuar urdhrin ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump që sanksionon zyrtarët e saj.

Vendimet e Trump synojnë “të dëmtojnë punën e tij të pavarur dhe të paanshme gjyqësore”, tha gjykata.

“Gjykata qëndron me vendosmëri pranë personelit të saj dhe zotohet të vazhdojë të japë drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të pafajshme të mizorive në të gjithë botën, në të gjitha situatat përpara saj”, thuhet në deklaratën e gjykatës së Hagës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA