Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, partia në koalicion me AAK e Ramush Haradinaj në një intervistë me autoren e Top Story Grida Duma në prag të zgjedhjeve, u tregua i ashpër me Albin Kurtin.
Ai tha se në një shtet si Kosova, duhet një kryeministër i fortë që sipas Limaj, “nuk e le sherrin brenda oborrit të vet”.
“Ne po flasim me shtetin tonë, duhet të jemi të kujdesshëm politikisht. Ne kemi qenë dikur në një situatë të pushtuar nga Serbia dhe e dimë. Kosova është e pavarur dhe duhet një kryeministër që nuk e le sherrin në oborr të vet, duhet të jetë e kujdesshme se të pushtojnë. Ne ende e kemi të varur në qafë rezolutën. Nëse një pjesë e territorit të Kosovës mund të bëhet e paqeverisshme mund të aktivizohet një mekanizëm që e kemi larguar nga 2008, ky djalë nuk e kupton këtë”-u shpreh Limaj.
Limaj u ndal edhe te marrëveshja e Asociacionit, ku tha se cila do qeveri të vijë në pushtet, do të ketë në tavolinë atë dakordësim që ai e quan ‘problem’.
“Kosova ka një obligim të marrëveshjes Kurti-Vuçiç. Kosova ka obligime, marrëveshje që duhet të zbatohet sepse është pranuar. Është shënuar si detyrim ndërkombëtar. Që do të thotë, gjithë marrëveshja e Brukselit, dhe Ohrit qeveria do ta ketë në tavolinë, ajo marrëveshje është shumë e keqe. Është problem”-u shpreh Limaj në Top Story.
Top Channel