![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/urgjencaa-800x450.png)
Pas nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, kryeministri Edi Rama dha një konferencë për gazetarët në Madrid.
Këtë zhvillim, Rama e cilësoi shpërblimin më inkurajues për të gjitha përpjekjet dhe arritjet e bëra nga vendi ynë. Sipas tij, ky është dhe një sinjal i fortë besimi, që vjen me përgjegjësi për të bërë më mirë.
“Na u thanë kaq shumë fjalë inkurajuese për betejën tonë për të reformuar drejtësinë në Shqipëri dhe për ta bërë Shqipërinë një anëtare krenare të BE, ku shteti i së drejtës është i vendosur njëherë e përgjithmonë. Jam shumë mirënjohës Havierit dhe udhëheqjes së tij që jo vetëm erdhën, por po kështu mblodhi të gjitha informacionet objektive rreth reformës sonë shumë sfiduese, por deri më tani, mjaft të duartrokitur. Më duhet të them se fakti që Shqipëria do të mirëpresë kongresin botëror të drejtësisë, është shpërblimi më inkurajues për të gjitha përpjekjet dhe arritjet. Është dhe një sinjal i fortë besimi, që vjen me përgjegjësi për të bërë më mirë, për të përfaqësuar një vend që vjen nga një e shkuar jo e mirë, por me vizionin e duhur, mund të tejkalojë të shkuarën e keqe, për të bërë që shteti i së drejtës të jetë një mënyrë jetese“, tha Rama.
Nga konferencë në kryeqytetin spanjoll, Rama bëri një ftesë për të pranishmit.
“Do të bëjmë gjithçka që të jemi mikpritës të shkëlqyer. Ne mund të jemi pas në shumë gjëra, por pretendojmë kupën e botës në mikpritje. Gjithkush këtu ka një ftesë për të ardhur në Shqipëri, me premtimin që jo vetëm nuk do të pendoheni, por do doni të ktheheni, me premtimin se çdo gjë që keni dëgjuar se në ç’mënyrë të parët tuaj në Spanjë përdornin për të pritur miqtë, do ta gjeni dhe aty. Kjo s’do të thoni se duhet të shpenzoni shumë. Jemi të përulur që jemi këtu dhe që na është treguar shumë respekt, dhe që kemi takuar mbretin, që nga pikëpamja njerëzore, është më e mirë që mund të gjesh”, tha ai.
Top Channel