Zgjedhjet në Kosovë/ Nis votimi me postë për diasporën, mbi 105 mijë qytetarë votojnë nga jashtë vendit 28 parti politike me 1280 kandidatë të certifikuar garojnë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë që do të mbahen më 9 shkurt.
Nga këta kandidatë, 23 prej tyre kanë probleme me ligjin në pesë vjetët e fundit. 16 prej tyre kanë aktakuza aktive për veprat penale të natyrës korruptive, keqpërdorim të pozitës, përdorim të armës apo mbajtja në pronësi të armës, pengim i personit zyrtar në kryerjen e punës apo sulm ndaj personit zyrtar.
“Lëvizja Vetëvendosje ka gjithsej 14 kandidatë apo 12% e kësaj liste ka probleme me ligjin, Koalicioni AAK dhe NISMA me tetë kandidatë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me një kandidat”, thotë hulumtuesja Burbuqe Kastrati.
Në raportin e hartuar nga organizatat joqeveritare, INPO, FOL dhe IKD theksohet se tetë kandidatë kanë dënime, pesë janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe një i koalicionit AAK-NISMA.
“Nga tetë kandidatë për deputetë që kanë dënime, njëri prej tyre është i dënuar në dy raste për vepra të ndryshme penale. Tre prej tyre janë të dënuar për vepra penale të natyrës korruptive, konkretisht për mosraportim të pasurisë. Për përdorimin e armës janë dënuar katër kandidatë për deputetë dhe një kandidat për sulm ndaj personit zyrtar dhe kanosje”, shton Kastrati.
Ndërkohë, Gzim Shala nga instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se programet e partive politike që garojnë në këto zgjedhje nuk i kanë kushtuar rëndësi strategjisë për sundimin e ligjit.
“Strategjia për sundimin e ligjit del nga procesi pothuajse më i rëndësishëm që Kosova ka zhvilluar në sundimin e ligjit e që është rishikimi i funksionimit të sundimit të ligjit, ky proces i kishte skanuar sistemin e drejtësisë dhe e kishte nxjerrë strategjinë, është për keqardhje mosreferimi në këtë strategji prej asnjërës parti”, thotë ai.
Me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, vetëm një person që është i dënuar në formë të prerë në tre vjetët e fundit për një vepër penale me një ose më shumë vjet burgim, nuk mund të kandidojë në zgjedhje.
Top Channel