Nga trajnerët te marrëdhënia me Leo Messin, rrëfehet Ronaldo: Jam më i miri në histori, askush nuk është më i kompletuar se unë

04/02/2025 21:13

Një ditë përpara ditëlindjes së tij të 40-të, Cristiano Ronaldo bëri një rrëfim special për “Chiringuito”, duke u ndalur në shumë pika dhe momente kryesore të karrierës së tij.

Portugezi është drejt rrugës për të arritur 1000 gola, si askush tjetër në historinë e futbollit, teksa tashmë i duhen dhe 77 realizime për të arritur atë shifër.

Sa i përket intervistës së tij, Ronaldo u shpreh se është lojtari më i mirë në histori, pasi askush tjetër nuk është më i kompletuar se ai.

“Unë jam lojtari më i mirë në histori dhe e besoj këtë. Jam i shpejtë, jam i fortë, shënoj me kokë, shënoj me të majtën, askush nuk është më i kompletuar se unë. Të thuash që Cristiano nuk është i kompletuar, atëherë është gënjeshtër. Ju mund të pëlqeni Pelen, Maradonën ose Messin dhe unë e respektoj këtë”, tha portugezi.

Ai gjithashtu u ndal dhe te raporti me rivalin e tij argjentinas, duke thënë: “Rivaliteti me Messin ishte më shumë një luftë e shëndetshme, si midis Prost dhe Senna. Ne ndamë skenën për 15 vjet dhe ne gjithmonë shkonim mirë. Unë gjithashtu i përktheja çfarë thuhej në anglisht në ceremonitë e ndarjes së çmimeve. Ishte shumë gazmore”.

Sa i përket trajnerëve, Ronaldo nuk i kurseu kritikat për disa prej tyre, por pa përmendur emra. “Kam pasur vërtet disa trajner të këqinj, që nuk kishin asnjë m*t ideje nga futbolli”, u shpreh 5-herë fituesi i Topit të Artë.

Në shumë pika të tjera, ai u ndal dhe te Reali i Madridit, aty ku pati dhe shkëlqimin më të madh si futbollist. “Gjithmonë do e kem Madridin në zemrën time. Ishte skuadra ku unë isha më i lumtur. Kam bërë shumë gjëra të rëndësishme aty, gjëra shumë të bukura dhe për këtë arsye njerëzit nuk e harrojnë”, tha ndër të tjera futbollisti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA