“Të shtënat masive më të këqija në historinë e Suedisë”, e cilësoi kryeministri suedez, Ulf Kristersson, sulmin me armë që la pas 10 të vdekur në një shkollë në Orebro të Suedisë.
Ishte “akt brutal”, tha kryeministri, teksa ngushëlloi familjarët e viktimave dhe tha se ngjarje të tilla nuk duhet të përsëriten kurrë më në vend.
“Mendimet tona në këtë moment shkojnë edhe për të lënduarit dhe familjarët e tyre, si dhe për të tjerët të prekur. Unë dhe familja ime dëshirojmë të shprehim vlerësimin më të madh për policinë e personelin mjekësor që punoi intensivisht për të shpëtuar dhe mbrojtur jetë njerëzish në këtë ditë të errët”, u shpreh mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf.
Autori, një shtetas suedez 35-vjeçar, është në mesin e viktimave. Ai qëlloi veten pas masakrës që shkaktoi në institucionin arsimor. Sipas Ministrisë së Drejtësisë dhe Policisë së Orebros, autori, që nuk ka pasur precedentë të mëparshëm penalë, ka vepruar i vetëm, duke përjashtuar mundësinë e një akti terrorist.
I shokuar nga ngjarja, babai i autorit nuk u besonte syve kur pa lajmin në ekran. “Nuk di asgjë, kjo duhet të jetë e pamundur”, tha ai në një telefonatë për gazetarët.
Pesë persona ndodhen në spital, katër prej të cilëve iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale për shkak të plagëve të marra.
Dëshmitarët përshkruajnë çastet e tmerrit në kampusin, që frekuentohet nga studentë mbi 20 vjeç e ku ofrohen kurse të gjuhës suedeze për emigrantët, trajnime profesionale dhe programe për personat me aftësi të kufizuara.
“Një person hapi derën e klasës pas pushimit të drekës dhe duke bërtitur, tha se të gjithë duhej të dilnin jashtë”, tregoi një mësuese.
“I nxora të gjithë 15 studentët e mi në korridor dhe filluam të vrapojmë. Pastaj dëgjova dy të shtëna, por ia dolëm. Ishim afër hyrjes së shkollës. Pashë njerëz që tërhiqeshin zvarrë të plagosur. E kuptova se ishte shumë serioze”, tha ajo për Reuters.
Ajo pohoi se në institucionin arsimor kishte shumë pak nxënës kur ndodhi sulmi, pasi shumica ishin larguar kur përfunduan testimin.
Dhuna dhe sulmet me armë janë shtuar gjatë viteve të fundit në Suedi, duke rritur shqetësimet për sigurinë në vend.
Top Channel