Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dënuar Haxhi Shalën, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë.
“Në emër të popullit të Kosovës trupi gjykues ju konstaton ju zoti Shala, zoti Januzi dhe Zoti Bahtijari fajtor për veprat e mëposhtme pengim i personave zyrtar për kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes dhe veprimit të përbashkët në grup të kryer mes periudhës pesë dhe 12 prillit dhe për frikësim gjatë proceseve penale”, u shpreh gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia.
Haxhi Shala është dënuar me tre vjet burgim, Sabit Januzit u dënua me dy vjet burgim dhe Ismet Bahtijari me dy vjet burgim.
Ata u dënuan pas arritjes së marrëveshjes me Zyrën e Prokurorit të Specializuar për pranimin e fajësisë.
Shala, Januzi dhe Bahtijari kanë pranuar se kanë qenë pjesë e një grupi që është përpjekur të nxisë dëshmitarin një të shmangë dhënien e dëshmisë së tij para Gjykatës Speciale, duke i premtuar kompensim për këtë.
“Gjatë takimit të datës pesë prill 2023 zoti Bahtijari i ka thënë dëshmitarit se ai duhet të tërheqë dëshminë e tij përpara Dhomës së Specializuar të Kosovës. Gjatë takimit më 12 prill 2023 zoti Januzi e ka pasuar takimin e parë me dëshmitarin dhe i ka thënë dëshmitarit se zoti Shala dhe të tjerët do ta ndihmonin atë në rast se ai do të tërhiqte dëshminë e dhënë”, shtoi gjyqtarja.
Bahtijari dhe Januzit do tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që prej pesë tetorit 2023 dhe Haxhi Shalës nga 11 dhjetori i 2023.
Të dënuarit do të paguajnë si dëmshpërblim shumën prej 500 euro për viktimën numër një. Shala do të paguajë 400 euro, Januzi 100 euro dhe Bahtijari nuk do të paguaj asgjë.
Gjykata nuk ka bërë të ditur se kush është dëshmitari dhe as për çfarë rasti bëhet fjalë.
Më gjashtë dhjetor të vitit 2024 Gjykata Speciale në Hagë ngriti akuzë të re ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për vepra penale që lidhen me pengim të drejtësisë.
Ndërkohë që Dhomat e Specializuara deri më tani kanë dënuar për pengim të drejtësisë ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Krahas kësaj, po zhvillohen edhe procese të tjera gjyqësore për krime lufte, përfshirë edhe gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Top Channel