Një numër i madh studentësh dhe qytetarësh janë organizuar të shtunën për bllokimin e tri urave mbi lumin Danub në Novi Sad, fiks tre muaj pasi 15 persona janë vrarë si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të këtij qyteti, i dyti më i madhi në Serbi.
Studentët janë nisur nga kampusi i Universitetit të Novi Sadit drejt urave Varadin, Zhezhele dhe atë të Lirisë, të cilat do të jenë të bllokuara prej orës 15:00.
Disa janë parë duke mbajtur në duar mbishkrimet “Tre muaj – tri ura”.
Urat do të jenë të bllokuara fillimisht për tri orë dhe më pas pjesëmarrësit do të mblidhen në Urën e Lirisë, të cilën do ta bllokojnë për 24 orë.
Studentëve të Novi Sadit u janë bashkuar edhe studentët prej Beogradit, të cilët kanë ecur për dy ditë prej kryeqytetit.
Studentët e Beogradit kanë pushuar në disa qyteza derisa kanë arritur në Novi Sad, ndërsa banorët lokalë i kanë mirëpritur me ushqime.
Protestës i janë bashkuar edhe rreth 1.000 motoristë që janë nisur prej Beogradit.
Protestat e vazhdueshme kanë rezultuar me dorëheqjen e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, më herët gjatë javës, dhe një mori koncesionesh të bëra nga Qeveria populiste, e cila bën përpjekje të qetësojë rezistencën.
Megjithatë, studentët kanë insistuar se do ta vazhdojnë protestën deri në realizim të kërkesave të tyre.
Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.
Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.
Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Autoritetet, në anën tjetër, pretendojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat./REL
Top Channel