Lojërat virtuale krijojnë varësi, jo vetëm te fëmijët por edhe te të rriturit.
Psikologët ngrenë shqetësimin e grupmoshave përtej adoleshencës që zhyten në teknologji si një arratisje nga jeta e përditshme, duke krijuar një realitet tjetër.
“Siç mund të jenë për shembull 20-25 vjeçarët që e kanë të mbartur nga fëmijëria. Konstatojmë raste në klinikë, kur nuk merren me aktivitet fizik, kanë pamundësi ekonomike apo janë të papunë mundësia aty për tu përfshirë në aktivitete brenda teknologjisë është më e madhe.
Shpeshherë përdoren edhe mekanizma joshjeje financiare, të ngjashme me bixhozin apo lotot, që rrit e grupmosha më të rritura. Kemi raste të shpeshta te të rriturit që nuk shkojnë dot deri në tualet pa telefonin me vete, e ndiejnë nevojë. Ky është alerti, kjo është varësia”, tha Arbjola Halimi-psikologe.
Për specialistët e shëndetit mendor varësia nga teknologjia e lojërat online kthehen në një stil jetese që ndikon në ndryshimin e sjelljes.
“Sjell kufizim të jashtëzakonshëm të ndërveprimeve sociale, qoftë në punë, në familje… Preken marrëdhëniet në çift, raportet prind-fëmijë. Ai ka disa përgjegjësi jetësore që nuk i përmbush dot. Kjo jo vetëm sjell konflikte, por sjell nervozizëm, irritim në forma të ndryshme të dhunës deri në dhunë fizike”, tha Arbjola Halimi-psikologe.
Ndonëse fëmijët nuk marrin vendime pa miratimin e prindërve e janë të rrethuar nga këshillat se qëndrimi i tepërt para ekraneve dëmton, në fund kopjojnë shembujt që shohin te të rriturit e , vetë maxhorenët e kanë të vështirë të pranojnë përdorimin papushim të pajisjeve digjitale.
“Varësia është një lloj çrregullimi e është serioz. Por të rriturit kanë turp të vijnë te psikologu. Problemi qëndron se ata mendojnë se mund ta menaxhojnë”, u shpreh ajo.
Por psikologët mendojnë se shkëputja e menjëhershme nuk është zgjidhje , trajtimi duhet filluar me matjen e kohës online dhe largimit gradual…
Top Channel