Vendimi i gjykatës amerikane: Ndalimi i shitjes së armëve për grupmoshën 18-20 vjeç, jokushtetues

31/01/2025 07:30

Një gjykatë amerikane Apeli arriti të enjten në përfundimin se është jokushtetuese që të ndalohet shitja e armëve për personat nën 21 vjeç nga entitetet e shitjes së armëve me liçencë federale.

Një gjykatë Apeli në Nju Orlins e mori vendimin për përmbysjen e ndalimit që ishte në fuqi prej dekadash, në bazë të vendimeve të fundit të Gjykatës së Lartë që zgjerojnë të drejtat për armëmbajtje.

Është hera e parë që një gjykatë federale apeli vendos se ndalimi shkel të drejtën për të mbajtur armë të sanksionuar në Amendamentin e Dytë të Kushtetutës së SHBA-së.

Gjykata e Apelit kishte mbështetur më parë të njëjtin ndalim në vitin 2012, por kjo ishte përpara se Gjykata e Lartë me shumicë konservatore 6-3 të jepte një vendim historik në vitin 2022 që përcaktonte një provë të re për vlerësimin e ligjeve moderne të armëve të zjarrit.

Gjykata e Lartë arriti në përfundimin se kufizimet për armët duhet të ishin “në përputhje me traditën historike të këtij vendi për rregullat për armët e zjarrit”.

Ndalimi federal për shitjet për personat nën 21 vjeç u miratua për herë të parë nga Kongresi në vitin 1968 si pjesë e një ligji për Kontrollin e Krimit.

Një grup individësh të moshës 18 deri në 20 vjeç, së bashku me dy grupe për mbrojtjen e të drejtave për armëmbajtje e sfiduan ligjërisht ndalimin në vitin 2020 dhe po apelonin vendimin e një gjykate më të ulët që mbështeste ndalimin.

Gjyqtarja Edith Jones, duke u shprehur për trupën prej tre gjyqtarësh të enjten, tha se vendimi ishte i gabuar, pasi ndalimi ishte “jokushtetues duke pasur parasysh traditës historike të vendit tonë të rregullave për armët e zjarrit”.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë gjatë mandatit të ish-presidentit demokrat Joe Biden e kishte mbrojtur ndalimin. Por gjykatësja Jones tha se Departamenti kishte paraqitur prova “të pamjaftueshme” që të konfirmonin se të drejtat e armëve për të rriturit e grupmoshës 18 deri në 20 vjeç ishin të kufizuara në mënyrë të ngjashme gjatë epokës së themelimit të vendit në vitet 1700.

“Teksti i Amendamentit të Dytë parashikon individë tetëmbëdhjetë deri në njëzet vjeç mes ‘personave’ e drejta e të cilëve për të mbajtur armë është e mbrojtur,” shkruan gjykatësja Jones, e cila ashtu si edhe anëtarët e tjerë të trupës është emëruar nga një president republikan.

Brandon Combs, presidenti i Koalicionit për Politikat e Armëve të Zjarrit, në një deklaratë e quajti vendimin një fitore kundër “një ndalimi imoral dhe antikushtetues të armëve bazuar tek mosha”.

Departamenti i Drejtësisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA