Presidenti i Francës, Emmanuel Macro ka vendosur që muzeu i famshëm i Luvrit në Paris t`i nënshtrohet një restaurimi rrënjësor, për lagështira po rrezikon veprat e tepër të vyera të artit që ai mban, ndërsa hyrja është e vogël për masën e madhe të vizitorëve nga cdo cep i botës.
Macron deklaroi se edhe kryevepra e Leonardo da Vinçit “Mona Lisa” do të zhvendoset në një sallë të re të vecantë, duke u ekspozuar në një mënyrë që të shijohet edhe më mirë nga kureshtarët.
Muzeu më i frekuentuar në botë pas restaurimit kapital do të ketë tashmë edhe një hyrje të re.
Hyrja aktuale nën piramidën prej xhami do të rikonceptohet tërësisht duke iu ndryshuar funksioni në salla të reja. Përurimi i hyrjes së re parashikohet në vitin 2031.
Për projektimin e saj në fasadën lindore në fund të vitit 2025 do të shpallet një konkurs ndërkombëtar i arkitekturës, tha Macron.
Për herë të fundit Louvre është rinovuar në vitet 1980, kur arkitekti Leoh Ming Pei konceptoi piramidën ikonike të xhamit për hyrjen e muzeut, e cila u përurua më 1989 në kohën e presidentit Francois Mitterand.
Por kjo hyrje asokohe ishte planifikuar për një masë turistësh deri në katër milionë në vit, ndërsa sot, Louvre vizitohet nga nëntë milionë turistë në vit.
Ndërkohë për shkak të këtyre punimeve, duket se edhe cmimet e biletave për vizitorët jashtë vendeve të BE-së do të rriten.
Top Channel