Ka kaluar vetëm pak më shumë se një javë nga marrja e detyrës, dhe Donald Trump e “shkundi” vendin me urdhrat e tij ekzekutivë.
Presidenti i SHBA-së njoftoi së fundi se administrata e tij planifikon të dërgojë “kriminelët e huaj më të këqinj” në një qendër burgimi në Gjirin e Guantanamos, në Kubë. Edhe pse ka premtuar se do të rrisë në mënyrë drastike dëbimet, Trumpi duket është në të njëjtën kohë i ndërgjegjshëm se për disa individë mund të mos jetë e sigurtë që do të rrinë në vendet e origjinës.
“Disa prej tyre janë aq të këqij sa nuk kemi besim që t’ua lëmë në dorë vendeve sepse nuk i duam përsëri këtu, ndaj do t’i dërgoj në Guantanamo. Do të udhëzoj zyrtarët federalë të bëjnë gati qendrat në Kubë për të pritur emigrantët që kanë kryer krime. Kemi 30,000 shtretër në Guantanamo për të burgosur kriminelët e huaj më të këqij që kërcënojnë popullin amerikan.”-u shpreh Trump.
Shtëpia e Bardhë njoftoi pak më vonë se Trump firmosi një memorandum presidencial për Guantanamon. Grupet e të drejtave të emigrantëve shprehën shqetësim, duke kujtuar se “historia abuzive e Gjirit të Guantanamos flet vetë dhe është e qartë që do të vërë në rrezik shëndetin fizik dhe mendor të njerëzve”.
Baza ushtarake amerikane në Gjirin e Guantanamos, në Kubë, është përdorur për të burgosurit që janë dënuar në kuadër të luftës së Shteteve të Bashkuara kundër terrorrizmit. Ish presidenti Barak Obama kishte insistuar për mbylljen e burgut ushtarak të Guantanamos me argumentin se ky objekt “nuk i shërben sigurisë kombëtare të vendit, por e dëmton atë”.
Top Channel