Duke përmendur Kryepeshkopët shqiptarë që drejtuan Kishën Ortodokse, kryeministri Edi Rama theksoi se Anastas Janullatos rivendosi në altar gjakun e stërmundimeve të tyre.
“Çfarë njeriu, çfarë bariu, çfarë pajtuesi dhe paqebërësi, çfarë greku në kombësi dhe çfarë shqiptari në shtetësi. Dinjitetin e martirizuar të kësaj kishe dhe të kreut të saj, larë me djersën dhe gjakun e stërmundimeve të Kristofor Kisit dhe Damian Kokoneshit, Irene Banushit dhe sa e sa të tjerëve Kryepeshkopi Anastas e rivendosi të plotë në altarin e saj të rilindur duke i dhënë mundësinë Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Klerit dhe besnikëve të saj që sot ta marrin stafetën nga ky atlet triumfator i Krishtit dhe ta çojnë përpara në liri të plotë, në pavarësi të pakthyeshme dhe me një siguri të garantuar.
Mjafton ta dëshirosh dhe ke plot çfarë të mësosh prej trashëgimisë së këtij njeriu që refuzoi me urtësi të rrallë qindra, mbase mijëra ftesa për armiqësi, për duel, për polemikë që i erdhën pa kursim nga të katër anët deri në ditën e fundit të jetës. Ai, që duke mos qenë as vendas, mund të ishte më i legjitimuar të vinte kujën për diskriminimin dhe keqtrajtimin, parapëlqeu të ndiqte udhërrëfyesin Apostullin Pal “megjithëse jam i lirë kundër të gjithëve, u bëra shërbëtor i të gjithëve që të tërhiqja pas fjalës së Zotit sa më shumë njerëz”.
Top Channel