Patriarkana Ekumenike e dërgoi Anastas Janullatosi në Shqipëri në vitin 1991, pas rënies së regjimit komunist, për të qenë pranë popullit të vuajtur ortodoks, u shpreh Patriarku Bartolomeu gjatë ceremonisë mortore të Kryepeshkopit.
Patriarku Bartolomeu, i pari mes të barabartëve në Kishën Ortodokse u shpreh se Anastas Janullatos, pasi u vendos Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, u përball me sfida, por ia doli të rindërtonte Kishën në përputhje me vullnetin hyjnor.
“Kisha e Shqipërisë, që nga shpallja e saj Autoqefale ka përjetuar një histori të trazuar, kryesisht për arsye politike, tragjedia më e madhe ishte kur regjimi vendosi shfarosjen e fesë, duke e kthyer kishën në një kishë të përndjekur dhe duke përndjekur priftërinjtë.
Në 1991, Patriarkana Ekumenike, duke përmbushur detyrimin për t’u kujdesur për të gjitha kishat në Shqipëri, e thirri Anastasin dhe e dërgoi në Shqipëri, për të sjellë mesazhin e ringjalljes te populli i vuajtur ortodoks shqiptar. Pas një viti, u vendos Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë.
Shërbesa e tij baritore nuk ishte pa fortuna, udhëhoqi kishën përmes sfidave të mëdha, megjithatë zotëronte hirin për të zgjedhur bashkëpunëtorët e duhur, për të hapur shtigje aty ku dukej se çdo rrugë ishte e mbyllur. Kishat, manastiret, spitalet e shumë të tjera janë disa nga arritjet e tij. Ishte i duruar, por i patundur, aty ku interesi i Kishës e kërkonte. Ai diti të ndërtonte Kishën në përputhje me vullnetin hyjnor. Do të kujtojmë përherë çdo gjë të bukur nga Perëndia, çdo gjë që Kryepeshkopi dhuroi për kishën. Lavdi Zotit që i dhuroi Kishës një kryeprift të madh si Anastas Janullatos. Vëlla Anastas, të përshëndesim nga thellësia e shpirtit dhe zemrës, duke u lutur të prehesh me të drejtët dhe shenjtoret. I përjetshëm qoftë kujtimi yt“.
Në fjalën e tij, Patriarku theksoi se Kisha Ortodokse mëmë do të përqafojë Kryepeshkopin e ri, kushdo qoftë, dhe është e gatshme për ta mbështetur në çdo nevojë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.
Top Channel