Sulmet hibride paraqesin rrezik për stabilitetin kombëtar të Kosovës dhe në rrethanat aktuale gjeopolitike, qëndrueshmëria është më shumë se nevojë u theksua në konferencën e Ministrisë së Mbrojtjes për Qëndrueshmërinë Kombëtare të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bëri thirrje për forcim të kapaciteteve mbrojtëse.

“Forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse si dhe integrimi në NATO janë të ndërlidhura fuqishëm njëra me tjetrën”.

E para e shtetit shtoi se për të arritur këtë, Kosova duhet të forcojë edhe marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar.

Ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  tha se Kosova po iu përshtatet kërkesave kyçe të Aleancës Veri-Atlantike për qëndrueshmëri kombëtare.

“Forcimi i qëndrueshmërisë është një përgjegjësi kombëtare por përpjekjet tona padyshim që do ta forcojnë edhe aleancën në tërësi, meqenëse ne nuk synojmë vetëm të përfitojmë nga aleanca por edhe të kontribuojmë tek ato”.

Për të ecur përpara, Kosova duhet të inkorporojë në planin e saj për qëndrueshmëri mes tjerash edhe qytetarët e saj u shpreh Drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, Christian Naërat.

“Forcimi i qëndrueshmërisë shoqërore thekson nevojën që institucionet në Kosovë të zbatojnë rekomandimet kryesore për të njohur qytetarët si palët kryesore në përgatitje dhe reagim”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci derisa njoftoi për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në krijimin e një qëndrueshmërie kombëtare, tha se kjo arrihet me bashkëpunim me akterë të shumtë.

“Së pari duke ndërtuar partneritete të forta mes institucioneve shtetërore, sektorit privat dhe organizatave ndërkombëtare, çdo palë ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces”.

Në konferencën e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes u theksua nevoja për mbrojtjen dhe zhvillimin e infrastrukturës kritike, sigurimin e alternativave të tjera të qëndrueshme dhe fleksibile e po ashtu edhe zhvillimin ekonomik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA