I shoqëruar nga disa deputete të Partisë Demokratike, Sali Berisha mbërriti ndër të parët në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë ku iu dha lamtumira e fundit Anastas Janullatos.
Ai i ul në radhën e parë, sipas asaj që kishte parashikuar Protokolli, ndërkohë që pak minuta pas tij mbërriti edhe kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja, kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali dhe Presidenti Bajram Begaj së bashku me Zonjën e Parë.
Minuta më vonë iu bashkua krerëve të shtetit shqiptar edhe kryeministri grek, Mitsotakis, të cilin protokolli e kishte parashikuar të ulej mes dy kundërshtarëve politikë të 20 viteve të fundit, Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Fotot e kapura nga LSA-ja, fiksojnë momente kur Rama dhe Mitsotakis bisedojnë me njeri tjetrin, ndërsa Berisha është i fokusuar te materiali i përgatitur nga Kisha që iu ishte shpërndarë të ftuarve.
Për rreth 2 orë, Sali Berishës dhe Edi Ramës iu është dashur të qëndrojnë fare pranë njeri-tjetrit, ndërkohë që afërsia e tyre ka tërhequr gjatë gjithë kohës vëmendjen e përfaqësuesve fetarë, por edhe diplomatëve të huaj të pranishëm.
Megjithatë fotoja e fiksuar prej fotoreporterit Armando Babani tregon momentin e një ndasie të thellë politike mes kryeministrit të vendit dhe liderit të opozitës, njëri i ulur në të majtë e tjetri në të djathtë të kryeministrit grek.
Top Channel