Kryeministri Edi Rama ishte sot për inspektim në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ku pritet të hapë dyert së shpejti krahu modern i kompleksit, ndërkohë që do të nisë edhe rindërtimi i pjesës së vjetër.
Infrastruktura e re do të ketë dyfishim të shtretërve në terapinë intensive, 360 shtretër për pacientët, 7 salla operacioni & 6 salla lindjeje, etj.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, teksa shpjegoi ndryshimet shtoi ndër të tjera se punimet për godinën tjetër përbëjnë fazën e dytë.
“Rikonstruksioni i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” po realizohet me dy faza. Faza e parë që ka të bëjë dhe me ndërtimin e godinës kryesore, diku tek 6000 metra katrorë ka përfunduar në fund të vitit që shkoi, ndërkohë që ka filluar rikonstruksioni i fazës së dytë me ambientet e shërbimit të neonatologjisë.
Ndërkohë që këtu në godinën e re, tre kate mbi tokë dhe një kat nën tokë janë shërbimet kryesore; shërbimi i obstetrikë dhe gjinekologjisë, ndërkohë që kemi edhe shërbimin e imazherisë, kemi qendrën e gruas në krah të majtë që është e gjitha e ndërtuar e re, ndërkohë që shërbimi i urgjencës së bashku me triazhin organizohen në katin e parë. Në katin e dytë kemi të organizuar shërbimin e obstetrikës.
Godina e re ka 6 salla operacioni dhe 7 salla lindjeje. Kemi dyfishuar kapacitetet. Nga 260 shtretër që janë aktualisht, kapacitetet e shtretërve janë rritur në 360. Secili nga shërbimet ka edhe shërbimin intensiv. Ndërkohë që punimet priten të përfundojnë brenda këtij viti, së bashku të dyja fazat, së bashku me mobilimin dhe me pajisje të teknologjisë së lartë. Është një investim i buxhetit të shtetit”, tha ajo.
Top Channel