Të mbijetuarit e fundit të kampit nazist të vdekjes, Ausvhic Birkenau, po përpiqen të mbajnë gjallë kujtimet e një makthi që nuk duhet të përsëritet më kurrë, e për këtë arsye, nuk duhet harruar.
“Shpresoj shumë që ata të cilët po na dëgjojnë, ta kuptojnë mirë se cfarë po përpiqem të them. Ta kuptojnë përse po ngrihem e po flas, sepse disa kategori njerëzish i urrenin thellësisht hebrenjtë. Dhe kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë”, shprehet Ginette Kolinka, e mbijetuar e Shoah.
“Ndihem e detyruar që të vazhdoj të tregoj, dhe të vazhdoj të dëshmojë drejtpërdrejtë atë çka ne përjetuam. Ndihem e detyruar të tentoj të lë gjurmën time në histori. Shpresoj që përjetimi im të ndikojë tek dikush shumë me tepër sesa thjesht faktet edhe shifrat”, thotë Judith Elkan-Herve.
Në shumë mënyra, përvjetorët shënohen nga vazhdimësia: bëhet lutja hebraike për të vdekurit, Kaddish, viktimat nderohen me solemnitet dhe refreni përsëritet: “Kurrë më”. Por, ceremonitë përkujtimore po ashtu shënohen edhe nga prizmi i ngjarjeve bashkëkohore. Kampi u çlirua nga ushtarët sovjetikë, por presidenti rus, Vladimir Putin, nuk është ftuar në ceremonitë përkujtimore që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.
“Ne i kujtojmë viktimat, por po ashtu festojmë për çlirimin. Është e vështirë të mendohet prania e Rusisë, e cila qartësisht nuk e kupton vlerën e çlirimit”, tha Piotr Cywinski, drejtori i muzeut të Aushvicit.
Top Channel